Atentati ndaj 50-vjeçarit Thimjo Rubati në Sarandë, autorët qëlluan 9 herë me pistoletë dhe u larguan nga deti
Policia ka gjetur 9 gëzhoja pistolete të kalibrit 9 mm në vendin ku u qëllua 50-vjeçari Thimjo Rubati, alias Sandër Rubati, në lagjen nr. 4 të Sarandës.
Edhe pse një natë para ngjarjes, në të njëjtin vend, djali i Thimjo Rubatit, 27-vjeçari Andrea Rubati, me dy shokët e tij Antonio Lefteri dhe Engjëll Dalanaj, dhunuan dhe kanosën me thikë oficerin e policisë Mihal Velço, grupi hetimor e ka përjashtuar këtë pistë nga hetimi. Organizatorët e atentatit mund ta kenë përdorur si moment pikërisht për të devijuar hetimet. Policia, nga ana e saj, po heton pista të ndryshme, nga larja e hesapeve deri te konflikti i pronësisë, i lidhur kjo me falsifikimin e dokumenteve.
Në vitin 2021, emri i Thimjo Rubatit u përmend në një emision investigativ, ku një shtetasi i ishte përdorur karta e humbur e identitetit nga Rubati, për të shmangur tarifat e zhdoganimit të makinave.
Precedentët e tij penalë nisin që prej fillimit të viteve 2000, kur ai është arrestuar në Sarandë bashkë me disa persona të tjerë për trafik klandestinësh. Më pas, po në fillim të viteve 2000, në Tiranë është arrestuar me armë në automjet, pas një denoncimi se një gjimnaziste ishte marrë në automjet nga Rubati dhe një shok i tij nga Saranda. Pas këtyre ngjarjeve, Thimjo Rubati është përfshirë në trafikimin dhe kontrabandimin e mjeteve të vjedhura nga Greqia në Shqipëri dhe për këtë ka edhe precedentë penalë.
Edhe djali i tij, shtetasi Andrea Rubati, rezulton person me precedentë penalë, i arrestuar në qershor 2022, pasi është kapur në drejtimin e një automjeti që rezultonte i vjedhur në Itali. Në qershor të këtij viti, sipas burimeve policore, dyshohet se i është larguar postbllokut të FNSH-së, ndërsa prej 48 orësh është në kërkim për kanosjen dhe dhunimin e oficerit të policisë Mihal Velço.
Fraksion.com

