Paradoksi i kremit mbrojtës: Pse përdorimi i tij mund të rrisë rrezikun e kancerit të lëkurës
Përdorimi i kremrave mbrojtës nga dielli mund të krijojë një ndjenjë të rreme sigurie, duke bërë që njerëzit të ekspozohen më gjatë dhe në mënyrë më të rrezikshme ndaj rrezeve të diellit.
Për këtë arsye, dermatologët rekomandojnë që mbrojtja nga dielli të mos kufizohet vetëm te kremi, por të përfshijë edhe veshjen e përshtatshme, zgjedhjen e orareve të ekspozimit, si dhe faktorë individualë si mosha dhe ndjeshmëria e lëkurës.
Rezultatet treguan se personat që përdornin krem mbrojtës kishin një rrezik dy herë më të lartë për të zhvilluar kancer të lëkurës.
Ndjenja e rreme e sigurisë
“Mes specialistëve ky fenomen njihet si ‘paradoksi i rrezikshëm i kremit mbrojtës’. Filtrat mbrojtës krijojnë një ndjenjë të rreme sigurie, duke i shtyrë njerëzit të ekspozohen ndaj diellit në mënyrë më të guximshme”, shpjegon Paolo Ascierto, drejtor i Njësisë së Onkologjisë së Melanomës në Institutin e Tumoreve Pascale në Napoli.
Ascierto këshillon përdorimin e rrobave mbrojtëse, sidomos për personat që digjen lehtë nga dielli. Këmishët me mëngë të gjata prej liri ose pambuku të hollë dhe pantallonat e gjata janë zgjedhje të mira për qëndrime të gjata jashtë.
Mbrojtje e personalizuar nga dielli
Një tjetër koncept që po fiton terren mes dermatologëve është mbrojtja e personalizuar, e cila përshtatet sipas karakteristikave të çdo individi.
Sipas Piergiorgio Malagoli, përgjegjës i Dermatologjisë në Policlinikun San Donato në Milano, disa kategori njerëzish kanë rrezik më të lartë për djegie nga dielli. Mes tyre janë fëmijët, personat që marrin barna fotosensibilizuese, ata që vuajnë nga sëmundje si lupusi, artriti reumatoid apo sëmundja e Crohn-it, si dhe njerëzit që punojnë për shumë orë në ambiente të hapura.
Ekspertët paralajmërojnë se rrezet ultravjollcë mund të dëmtojnë lëkurën nga mesi i marsit deri në mesin e tetorit, edhe kur qielli është me re ose temperaturat nuk janë të larta.
Po ashtu, shumë njerëz nënvlerësojnë rrezikun e ekspozimit të shkurtër, por intensiv ndaj diellit gjatë fundjavave ose pushimeve në vende tropikale jashtë sezonit, kur lëkura nuk është ende e përshtatur me rrezatimin diellor.
Fraksion.com

