AktualitetTë fundit

Kufizimi i praktikës “arrest me burg”, Gjykata e Lartë:: Është masa e fundit që jepet, duhet të shqyrtohen më parë masat më pak rënduese

Gjykata e Lartë ka zbardhur vendimin e Kolegjeve të Bashkuara të Gjykatës së Lartë marrë më datë 4 maj të këtij viti, për rishikimin e praktikës të dhënies së masës “arrest me burg”.

Sipas Gjykatës së Lartë, ky vendim zhvillon më tej standardin e zbatimit të masës së sigurisë “arrest në burg” si dhe përfaqëson një zhvillim të rëndësishëm në unifikimin e praktikës gjyqësore dhe në forcimin e garancive kushtetuese dhe konventore për mbrojtjen e lirisë personale.

Në vendimin prej 27 faqesh, marrë nga gjyqtarët Sokol Sadushi, Ilir Panda Valbona Çekrezi, Ervin Pupe, Sokol Binaj, Albana Boksi, Sandër Simoni, Artur Kalaja, Arbena Ahmeti, Gentian Medja, Sokol Ngresi, Margarita Buhali, Enton Dhimitri, Enkelejda Metaliaj, Vojsava Kola, Genti Shala theksohet mes të tjerash se prokurorët duhet të argumentojnë masën.

Trupa e Kolegjeve të Bashkuara në vendimin e zbardhur ndalet në tre çështje kyçe të ndërhyrjes:

-“…a është në përputhje me këto dispozita dhe me nenin 5 § 3 të Konventës Europiane për të Drejtat e Njeriut (KEDNJ) qëndrimi sipas të cilit, kur kërkohet ose vendoset masa “arrest në burg”, gjykata nuk ka detyrim të analizojë realisht masat alternative dhe mjafton të arsyetojë se masa e zgjedhur prej saj është e përshtatshme për rastin konkret?

-“…..a mund të nxirret “rrezikshmëria e veçantë e veprës dhe e të pandehurit”, si kriter për caktimin e masës së sigurimit “arrest në burg” vetëm ose kryesisht nga natyra e veprës penale, nga rëndësia e saj e përgjithshme ose nga marzhi i dënimit, pa një vlerësim konkret dhe të individualizuar të rrethanave të rastit dhe të personit?

-Kujt i takon barra e justifikimit të nevojës për caktimin dhe vijimin e masës së “arrestit në burg” dhe a është në përputhje me nenin 5 § 3 të KEDNJ dhe me nenet 228-230 të KPP qëndrimi sipas së cilit papërshtatshmëria e kësaj mase mund të pranohet vetëm nëse i pandehuri paraqet prova pozitive?

Sa i takon çështjes së parë, në vendim thuhet se “….Gjykata ka detyrimin të shqyrtojë realisht masat e tjera më pak kufizuese të lirisë personale dhe të arsyetojë shprehimisht përse ato nuk janë të mjaftueshme në rastin konkret. Ky arsyetim duhet të jetë i shprehur, i individualizuar dhe i mbështetur në fakte e rrethana të posaçme të çështjes, duke pasqyruar qartë rrezikun konkret si dhe domosdoshmërinë, përshtatshmërinë dhe proporcionalitetin e kufizimit të lirisë, në përputhje me standardet kushtetuese dhe konventore”.

Sipas gjyqtarëve, “nuk është e mjaftueshme që gjykata të deklarojë vetëm se masa e ‘arrestit në burg’ është e përshtatshme, ajo duhet të arsyetojë në mënyrë konkrete përse masat e tjera më të buta, si ‘arresti në shtëpi’, ‘detyrim paraqitje’ ose ‘garancia pasurore’, nuk do të ishin të mjaftueshme për të garantuar qëllimin e procedimit penal”

“Masa e sigurimit personal e “arrestit në burg”, konsiderohet, sipas përcaktimit të paragrafit të parë, të nenit 230 të KPP, si masa e fundit/extrema/ultima ratio, e cila mund të vendoset vetëm kur, çdo lloj mase tjetër rezulton e papërshtatshme për të garantuar nevojat e sigurimit të procedimit penal. Këto nevoja sigurimi identifikohen në përcaktimet e pikës së tretë (të paktën njërit prej tyre) të nenit 228 të KPP, të cilat nuk mund të garantohen/plotësohen nga asnjë lloj mase tjetër e ndryshme nga kjo masë kufizuese e lirisë, “arresti në burg””.

Për çështjen e dytë, gjyqtarët argumentojnë se “në caktimin e masës arrest në burg, prokurori fillimisht dhe gjykatat në vijim kanë detyrimin të japin një arsyetim të individualizuar, të mbështetur në fakte e rrethana të posaçme të çështjes që lidh nevojën e kësaj mase me rrezikshmërinë e veprës dhe të autorit në rastin konkret. Ky vlerësim duhet të mbështetet në rrethanat specifike të faktit, në mënyrën e kryerjes së veprës dhe në të dhënat që lidhen me personin ndaj të cilit caktohet masa e sigurimit, përfshirë personalitetin, sjelljen, rrethanat individuale e familjare, si dhe çdo tregues tjetër të rëndësishëm për vlerësimin e rrezikut real procedural ose shoqëror që ai paraqet në çështjen konkrete”

Në vendim argumentohet më tej se “kur verifikohet rrezikshmëria e veçantë e veprës dhe e autorit,  masa e sigurimit “arrest në burg” përligjet si masa më e përshtatshme, që garanton nevojat e sigurimit. Rrezikshmëria e veçantë e veprës dhe e autorit nuk nxirret vetëm ose kryesisht nga natyra e krimit ose nga marzhi i dënimit, por nga vlerësimi i ndërthurur i rrezikshmërisë së veçantë të faktit penal, i mënyrës së kryerjes, pasojave të ardhura, i personalitetit të të pandehurit, i sjelljes së tij, si dhe i rrethanave të tjera të rëndësishme dhe të lidhura ndërmjet tyre për rastin konkret”.

Për çështjen e tretë, që lidhet me barrën e justifikimit të nevojës për caktimin ose vijimin e masës “arrest në burg”, Kolegjet e Bashkuara përcaktojnë se “….barra e justifikimit të nevojës për caktimin dhe vijimin e masës së sigurimit “arrest në burg” i takon prokurorisë, ndërsa gjykata ka detyrimin ta verifikojë dhe ta arsyetojë atë në çdo fazë të procedimit”.

Kolegjet e Bashkuara nënvizojnë se “Prokuroria ka detyrimin të paraqesë dhe të argumentojë në mënyrë konkrete faktet dhe rrethanat që mbështesin nevojën e kësaj mase, përfshirë rrezikun konkret dhe papërshtatshmërinë e masave më pak kufizuese. Në vendimmarrjen e saj gjykata nuk mund të kushtëzohet nga paraqitja ose jo e “provave pozitive” nga i pandehuri. I pandehuri mban vetëm barrën e paraqitjes së rrethanave faktike personale, familjare, shëndetësore ose rrethanave të tjera, kur i ngre ato si argumente në favor të masave më pak kufizuese”.

Shkak për këtë vendim u bë çështja e 63-vjeçarit Begtash Zeneli, i arrestuar në tetor 2025 në Lezhë pasi në banesë iu gjetën 7 kg kanabis. Megjithëse Prokuroria kërkoi “arrestin në burg”, Gjykata e Apelit vendosi “arrest në shtëpi” duke marrë parasysh moshën e tij 63-vjeçare, faktin që ishte i rehabilituar ligjërisht dhe gjendjen e rëndë shëndetësore të bashkëshortes.

Gjykata e Lartë, pasi analizoi rekursin e prokurorit, vendosi të lërë në fuqi masën e “arrestit në shtëpi”. Kolegjet vlerësuan se rrezikshmëria e veprës, megjithëse e lartë, nuk mundet apriori të mbizotërojë mbi rrethanat specifike njerëzore të të dyshuarit, nëse nuk provohet rreziku konkret i ikjes apo përsëritjes së krimit.

Në arsyetimin e saj, Gjykata e Lartë theksoi se ky ndryshim është i domosdoshëm për të përafruar drejtësinë shqiptare me standardet e Gjykatës Europiane për të Drejtat e Njeriut (GJEDNJ). Sipas vendimit, “arresti në burg” duhet të mbetet gjithmonë si “ultima ratio” (masa e fundit), pasi prezumimi duhet të jetë gjithmonë në favor të lirisë.

Vendimi i plotë i Kolegjit të Bashkuara të Gjykatës së Lartë:61004_00141_00_2026_30fe4bca5b (1)

 

Fraksion.com

Social Media Auto Publish Powered By : XYZScripts.com