AktualitetPolitikëTë fundit

“Simbolika të goditura”, Nikollaq Neranxi: Arkivoli ne shesh, kur populli varros një pushtet të mbaruar!

Nga Nikollaq Neranxi

Rama dhe njerëzit e tij u ndien të fyer nga simbolika e një arkivoli, si metaforë e vdekjes politike. Në fakt protestat paqësore, përmes simbolikave të goditura, po artikulojnë nevojën urgjente për t’u dëgjuar dhe për të marrë zgjidhje konkrete.

Qytetarët në shesh përfaqësojnë sot dinjitetin e kombit; ata janë mishërimi i një rezistence që shpërfill cinizmin e kohës dhe dëshmon se aftësia e këtij populli për të reaguar mbetet e gjallë.

Megjithatë, pas 36 ditësh mobilizimi masiv, mungesa e një qëndrimi më energjik nga ana e faktorit ndërkombëtar është zhgënjyese. Ata që dikur nuk kursyen lavdërimet, mbështetjen, madje edhe puthjet për kryeministrin, sot kanë detyrimin moral të mbajnë një qëndrim të qartë ndaj kësaj krize delikate. Në frymën e urtësisë kineze se “ai që i vari zilen tigrit, duhet edhe t’ia heqë”, ndërkombëtarët duhet të ndërgjegjësohen se investimi i tyre tek liderë si Rama, nuk mund të tejkalojë vullnetin e një populli të cfilitur nga korrupsioni dhe keqqeverisja. Kërkesa për “edukatë” ndaj një pushteti që ka ushtruar “dhunë” sistematike ndaj qytetarëve, është një paradoks që arkivoli në shesh e çmitizon më së miri.​

Edhe roli i SPAK mbetet kritik. Ky institucion zotëron çelësat e zgjidhjes; hetimi i menjëhershëm i krimeve zgjedhore, të cilat janë të dokumentuara dhe të grumbulluara në sirtarët e tyre, mund t’i bënte zgjedhjet e fundit ligjërisht të pavlefshme. Shpresa për një ndërgjegjësim të disa deputetëve në një mocion mosbesimi mbetet e paktë, përderisa mandatet e tyre janë peng i grupeve kriminale dhe jo i vullnetit të qytetarëve. Ndërkombëtarët, përtej retorikës, duhet të monitorojnë SPAK-un, i cili, përmes heshtjes dhe mosveprimit, po mban peng fatin e demokracisë shqiptare.

Përballë këtij ngërçi, ku as protestuesit dhe as qeveria nuk tërhiqen, kërkohen metoda më radikale demokratike. Përshkallëzimi i mosbindjes civile përmes një “blackout-i” kombëtar – ku bizneset të pezullojnë veprimtarinë për të paralizuar mekanizmin e pushtetit – mund të jetë hapi i domosdoshëm. Si sipërmarrës, jam i gatshëm të pranoj sakrificën financiare të përkohshme në këmbim të çlirimit nga një barrë fiskale dhe administrative që po mbyt ekonominë. Jam i sigurtë se një paralizim i tillë, e rrëzon qeverinë shumë shpejt.

Tani është momenti për një nivel tjetër rezistence. Nëse sfida është se kush do të rezistojë më gjatë, atëherë sakrifica duhet të jetë e përbashkët dhe e përshkallëzuar, deri në arritjen e një zgjidhjeje të sigurt dhe përfundimtare.

 

Fraksion.com

Social Media Auto Publish Powered By : XYZScripts.com