Rama vizitë në Gjermani, takohet me kryeministrin e landit Nordrhein-Westfalen: Çfarë u bisedua
Kryeministri Edi Rama po zhvillon një vizitë në Gjermani, ku pati një takim me kryeministrin e landit gjerman Nordrhein-Westfalen, Hendrik Wüst.
Në takimin e zhvilluar në Düsseldorf, Bochum u diskutua për forcimin e bashkëpunimit mes Shqipërisë dhe një prej rajoneve më të fuqishme ekonomike e industriale të Gjermanisë.
Në fokus të bisedimeve ishte edhe zgjerimi i bashkëpunimit në fushën e investimeve, teknologjisë digjitale, arsimit profesional, si dhe mbështetja për procesin e anëtarësimit të Shqipërisë në Bashkimin Evropian.
Kryeministri Rama po zhvillon një vizitë zyrtare në Landin e Renanisë Veriore-Vestfalisë (Nordrhein-Westfalen – NRW), në Republikën Federale të Gjermanisë, ku do të mbajë fjalë në punimet e Ruhr Summit, një prej ngjarjeve më të rëndësishme në Europë kushtuar inovacionit, sipërmarrjes dhe teknologjisë.
Kryeministri Rama do t’i adresohet audiencës në panelin kryesor me tematikë “IA, Fuqia dhe Progresi: Rishikimi i Lidershipit për një Epokë të Re”.
Në vijim të agjendës, Kryeministri Rama do të jetë pjesë e diskutimit me temë “IA mes Inovacionit, Rregullimit dhe Përgjegjësisë”, së bashku me përfaqësues të njohur të sektorit të teknologjisë, biznesit dhe konsulencës ndërkombëtare.

