AktualitetPolitikëTë fundit

“Nuk më ka marrë koka erë si im atë”, Rama publikon letrën për Dritan Goxhajn

Një ditë pasi Dritan Goxhaj shpalosi kërkesën me 5 pika nga protestuesit, ku dorëheqja e Edi Ramës është e panegociueshme, ka reaguar kryeministri.

Përmes një postimi në rrjetet sociale, Rama publikoi një dokument të datës 21 prill 1999, që sipas tij i përket periudhës së luftës në Kosovë dhe i drejtohej Shtabit të Operacionit “Shigjeta”. Në dokument përfshihet një dëshmi e atribuar një komandanti të UÇK-së lidhur me Dritan Goxhajn.

Sipas përmbajtjes së njoftimit të publikuar nga Kryeministri, Goxhaj kishte shoqëruar në qendrën stërvitore të UÇK-së në Helshan katër oficerë të Ushtrisë Shqiptare, të cilët iu bashkuan forcave vullnetare për luftën në Kosovë.

Dokumenti pretendon se, kur u pyet nga bashkëluftëtarët nëse do të qëndronte edhe ai në luftë, Goxhaj ishte larguar për në Tiranë, duke thënë se, “nuk më ka marrë koka erë, si im atë, të vij në luftën e Kosovës”.

Duke publikuar dokumentin, Rama tha se ia kishte dërguar një person që kishte humbur familjarë gjatë luftës në Kosovë.

“Po mos bre, mos ia kajni nanën krejt, çfarë komandant i leshit more”, citoi Rama mesazhin që, sipas tij, kishte marrë bashkë me dokumentin.

Kryeministri theksoi se debati i tij nuk lidhet me Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës dhe se nuk  e hedh një pikë balte mbi flamurin e UÇK-së.

“Ej, trima, jo për një manipulator gjysmë taleban e gjysmë mitoman, po për krejt botën sikur të ma falin, nuk e hedh një pikë balte unë mbi flamurin e UÇK-së”, shkroi Rama në reagimin e tij.

Social Media Auto Publish Powered By : XYZScripts.com