AktualitetPolitikëTë fundit

“Nuk më frikësoni dot, s’jap dorëheqje”/ Rama: Bota nuk u zgjua prej fatit të Nartës, por nga Jared Kushner!

Kryeministri Edi Rama komentoi sot reagimet ndaj investimit në Zvërnec, ndërsa u shpreh se bota nuk u zgjua prej fatit të Nartës, por prej emrit të Jared Kushner dhe sigurisht prej hijes së vjehrrit të tij, Donald Trumpit.

Në takimin e zgjeruar të grupit parlamentar socialist, tha se protestat në bulevard përputhën atë armatë të frikshme kundër tyre me krejt armatën e urrejtësve shqiptarë off dhe online.

“Jo ndaj Donald Trumpit, por natyrisht ndaj meje dhe ndaj jush. I gënjeu mendja fuqishëm se çadra globale e kësaj proteste do të bënte mrekullinë që nuk e bëri dot çadra lokale e protestës së Lulit tim. Dhe kështu me sqepin e një zogu të vetëm do laheshin dy hesape të vjetra. Bota e madhe do ta turpëronte Trumpin në betejën e Nartës fiks 2073 vjet pas betejës së Palasës, ku Çezari turpëroi Pompeun, ndërsa armata shurdhuese e influencer-ve, followers-ave, analistëve, dialistëve, opinionistëve, urrejtësve patriotikë dhe mercenarëve digjialë të vënë në dispozicion bujarisht nga armiqtë e Shqipërisë apo nga konkurrentët e saj të egër në industrinë e turizmit do shpëtonte Shqipërinë nga unë për llogari të karavidheve të opozitës së dukshme dhe të padukshme”, shtoi Rama.

Kryeministri theksoi se në këtë situatë miliona njerëz që nuk dinë as ku ndodhet Zvërneci, dinin saktësisht se çfarë duhet të mendonin për Zvërnecin.

Sipas tij, Bulevardi i Tiranës u bë sheshi ku qindra mijëra njerëz ju turrën oligarkisë botërore dhe bota shqiptare u njehësua në histerinë e kanaleve sociale, duke bashkuar në një armatë të vetme çlirimtare, zogjt më elegantë të botës, flamingot me fundin e kazanit digjital.

“Cikloni i këtyre 20 ditëve nuk është interesant për atë që thotë mbi qeverisjen e Shqipërisë sot. Është interesant për atë që thotë mbi kohën ku kemi hyrë, botën që jetojmë dhe sfidat me të cilat do të përballemi gjithnjë dhe më shumë edhe ne, PS”, shtoi Rama.

Nëse kjo histori do të kishte ndodhur 10 vjet më parë, Rama shprehu bindjen se “do të kishte mbetur në rastin më të mirë një debat shqiptar pa protestë”.

“Do të kishte pasur mbështetës, do kishte pasur kundërshtarë, do kishte pasur sherr por do të kishte mbetur këtu, brenda kufijve tanë, pavarësisht përfshirjes së amerikanëve, izraelitëve apo të dreqit vetë që u përfshi në këtë histori edhe pa qenë fare pjesë”, tha ai.

Ndërsa sot 10 vjet më pas, Kryeministri u shpreh se “brenda 48 orësh, degradimi i dhunshëm i një sherri vulgar mes rojeve të sigurisë private dhe një protestuesi të marrë zvarr në një lokalitet të Shqipërisë u bë zanafilla e një lufte globale online ku nuk mbeti llogore mediatike e planetit pa shkrehur municionet përkatëse”.

Kjo, sipas tij, “jo sepse bota u zgjua një mëngjes e alarmuar për fatin e flamingove të Nartës dhe natyrën e Shqipërisë”.

“Deri dje këtu zhvillohej egërsisht nën hundën e pandjeshme të botës masakra më e përgjakshme e shekullit XX mbi shpendët dhe kafshët e gjora që vriteshin për epshin shtazarak të mijëra gjuetarëve të ardhur nga perëndimi në këtë tokë pa shtet. Të ishte për botën. Narta mund të kthehej qetësisht 10 vite më parë kur flamengot nuk shtegtonin më drejt lagunës së saj sepse i priste plumbi i kafshëve të dehura me dy këmbë”, tha ai


Fraksion.com

Social Media Auto Publish Powered By : XYZScripts.com