Rama për “Adnkronos”: Shqipëria, vend i lirë dhe demokratik ku ka debat dhe protesta paqësore
Kryeministri Edi Rama ka dhënë një intervistë për agjencinë italiane të lajmeve, “Adnkronos”, zhvilluar në Romë në kuadër të forumit të investimeve, FII Priority Europe organizuar nga Instituti FII.
Intervista e Kryeministrit Rama për “Adnkronos”:
Gazetari: Jemi këtu me kryeministrin e Shqipërisë, z. Rama. Do ta shfrytëzojmë këtë mundësi për të bërë disa pyetje këtu në Forumin e Prioriteteve FII. Kohët e fundit kryeministrja Giorgia Meloni tha se marrëveshja me Shqipërinë ishte një pararendës i rezultateve të arritura më vonë në Evian. A jeni dakord? A ishte ajo marrëveshje një hap i rëndësishëm?
Rama: Ne duhet ta besojmë atë që thotë kryeministrja juaj meqenëse ajo ishte, le të themi, në pararojë të kësaj përpjekjeje dhe kësaj beteje. Të gjitha meritat i takojnë asaj, gjithashtu edhe komentet. Unë jam i lumtur për të dhe shpresoj se kjo gjë të jetë e dobishme për Italinë dhe për Evropën.
Gazetari: Shqipëria ka qenë kandidate që nga viti 2014 dhe ka hapur negociatat për procesin e pranimit në Bashkimin Evropian në vitin 2020. Megjithatë, procesi duket ende larg përfundimit. Cilat janë parashikimet tuaja?
Rama: Jo, nuk është larg. Është më afër se kurrë sepse tani i kemi hapur të gjitha kapitujt e negociatave dhe gjithashtu e kemi kaluar atë afat të ndërmjetëm që hap rrugën për mbylljen e kapitujve dhe ekziston një plan i përbashkët me Komisionin Evropian për të mbyllur gjithçka deri në fund të vitit 2027.
Gazetari: Nga kjo pikëpamje, sfidat që po përballeni në këto moment po ndihmojnë apo po e ngadalësojnë në nivelin e brendshëm procesin e anëtarësimit?
Rama: Cilat sfida?
Gazetari: Protestat që po ndodhin tani.
Rama: Protestat janë pjesë organike e një shoqërie të lirë dhe demokratike. Ato janë kudo dhe nuk i shoh si pengesë. Përkundrazi, ato janë një tjetër arsye për të kuptuar dhe për të respektuar Shqipërinë si një vend i lirë dhe demokratik, ku ka debat dhe protesta paqësore.
Gazetari: Një nga çështjet kryesore që po trajtohet këtu në Forum është aftësia e Evropës për të tërhequr përsëri kapital dhe për të ruajtur investimet e kaluara. Më përpara foli edhe Kryetari i Saudi Ramco. Sipas mendimit tuaj, nga pikëpamja ndërkombëtare, cilat janë çështjet që duhet të zgjidhen?
Rama: Problemi, sipas mendimit tim, që duhet të adresohet para të gjithash është politik. Çdo gjë tjetër është mëse e qartë. Të gjithë e dinë se çfarë mungon, të gjithë e dinë se çfarë duhet shtuar. Janë forcat, aftësitë dhe talentet, janë njohuritë dhe gjithçka është aty. Por ekziston problemi politik, që do të thotë se është koha për të bërë pyetjen e të gjithë pyetjeve: A dëshiron Evropa të funksionojë si një lojtar në skenën e re ndërkombëtare nëse nuk ka aftësinë për të marrë vendimet e duhura dhe në mënyrë të shpejtë dhe e më pas t’i zbatojë ato në të gjithë kufijtë e saj? Ky është problemi.
Fraksion.com

