DW: SHBA në pozicion më të dobët se në fillim të luftës
“Nafta duhet të rrjedhë përsëri,” tha Presidenti amerikan Donald Trump të dielën (14 qershor 2026), kur njoftoi marrëveshjen me Iranin. Megjithëse detajet e marrëveshjes ende nuk janë bërë publike, Trumpi më vonë shpjegoi se Ngushtica e Hormuzit do të “rishpallej plotësisht e hapur”. Deklarata dypalëshe e qëllimit pritet të nënshkruhet këtë javë në Gjenevë. Atje, SHBA dhe Irani donin të rifillonin negociatat e drejtpërdrejta.
Ngushtica midis Iranit dhe Sulltanatit të Omanit është një pikë kyçe për furnizimet globale me energji. Njëzet për qind e konsumit global të naftës transportohej përmes kësaj rruge ujore, e cila është deri në 30 kilometra e gjerë, përpara se Irani të bllokonte plotësisht rrugën e transportit me varkat e tij të shpejta të armatosura dhe minat. Kjo ishte si hakmarrje për veprimet ushtarake të SHBA-së dhe Izraelit në shkurt. Sulmet ajrore synuan objekte ushtarake në Iran dhe vranë politikanë të rangut të lartë, përfshirë Udhëheqësin e Lartë të Revolucionit, Ajatollah Ali Khamenei. Një armëpushim i brishtë ka qenë në fuqi për disa javë.
Megjithatë, detajet e pa konfirmuara të deklaratës së qëllimit, të publikuara nga mediat iraniane pro-qeveritare, zbulojnë se roli i ardhshëm i Iranit në Ngushticën e Hormuzit do të mbetet një çështje për t’u negociuar. Agjencia iraniane e lajmeve FARS raportoi se ‘sovraniteti irano-omanit mbi Ngushticën e Hormuzit’ nuk ishte përfshirë në negociata deri në momentin e fundit. Thuhet se SHBA ‘kanë rënë dakord’ që kompanitë detare të paguajnë ‘tarifa’ Iranit kur anijet e tyre të kalojnë përmes Ngushticës së Hormuzit.
SHBA e kanë mohuar sërish këtë rrëfim. Zëvendëspresidenti amerikan JD Vance i tha transmetuesit amerikan CNBC se ngushtica do të mbetet e hapur pa tarifa në plan afatgjatë. Kjo tani është diçka që “do ta sqarojmë në këto negociata teknike”.
Dominimi i dobët amerikan
Bota po vështron me habi të madhe ndërsa superfuqia amerikane, pavarësisht fuqisë së saj ushtarake dërrmuese dhe pranisë në rajonin e Gjirit, gjendet e detyruar të negociojë me Iranin vetëm për një rikthim te statuskuoja në Ngushticën e Hormuzit, ashtu siç ishte para se të fillonte lufta.
Aftësia e Iranit për të paralizuar tranzitin e lirë detar në mënyrë asimetrike — domethënë duke përdorur dronë, mina në rrugët e anijeve dhe varka të vogla të shpejta — vë në dyshim aftësinë e SHBA për të garantuar lirinë e lundrimit.
“Kjo është një goditje për SHBA si superfuqi globale dhe minon statusin e saj si garant i lirisë së lundrimit. Lufta me Iranin i ka lënë SHBA në një pozicion më të dobët se sa ishte në fillim të konfliktit,” thotë Rebecca Lissner, bashkëpunëtore e lartë në qendrën kërkimore amerikan Këshilli për Marrëdhënie me Jashtë (CFR), në një intervistë për DW.
“Ndërsa lufta me Iranin ka nxjerrë në pah fuqinë ushtarake të jashtëzakonshme të SHBA, ajo ka zbuluar njëkohësisht paaftësinë e saj për ta përkthyer atë fuqi në diçka që i afrohet një fitoreje strategjike kundër Iranit.”
Nga objektivat e shumta që Presidenti amerikan Donald Trump kishte përmendur në fillim të luftës, deri tani vetëm një konsiderohet i arritur: ‘shkatërrimi’ i flotës iraniane. Qendra për Studime Ndërkombëtare dhe Strategjike (CSIS) vlerëson se Irani humbi ‘shumicën e forcave të tij detare’ në më pak se dhjetë ditë.
Megjithatë, Irani nuk kishte nevojë për një flotë konvencionale për të ndaluar anijet në Ngushticën e Hormuzit. Sulmet e tij asimetrike me dronë ndaj objekteve energjetike në shtete të tjera të Gjirit e penguan SHBA të përshkallëzonte më tej konfliktin, për shembull, me një ofensivë tokësore.
Aleatët e Teheranit në Jemen dhe Liban – milicia Huthi dhe Hezbollahu – vazhdojnë të përbëjnë një kërcënim për aleatët e SHBA-së në rajon, si Izraeli dhe të tjerë.
Tani Europa dëshiron të sigurojë që Ngushtica e Hormuzit të mbetet e hapur për kalim të lirë. Kjo u bë e qartë në margjinat e samitit të G7-ës që u mbajt në Évian (Francë). Europa do të ishte e gatshme t’i ndihmonte SHBA-së me anijet e saj luftarake. Presidenti amerikan Trump nuk u impresionua veçanërisht nga kjo ide dhe i tha mikpritësit, presidentit francez Emmanuel Macron, të hënën (15 qershor 26) se SHBA nuk kishte ‘nevojë për shumë ndihmë’. Ai deklaroi se ‘nuk është një ide e keqe të kemi një ose dy anije nga Europa’.
Ekonomia globale peng
“Edhe nëse ngushtica rihapet, Irani tani ka një kartë të fuqishme që nuk e kishte më parë,” thotë Lissner, i cili ka qenë zëvendës-këshilltar për siguri kombëtare i ish- zëvendëspresidentes amerikane Kamala Harris . “SHBA ka provuar se ose nuk ka mundur, ose nuk ka dashur ta detyrojë Iranin të rihapë ngushticën. Bota duhet të jetojë me rrezikun që Irani do të mbyllë përsëri Ngushticën sipas dëshirës së tij.”
Kështu, pyetja se përse Irani duhet të heqë dorë nga kjo kartë negociuese pa një kompensim të përshtatshëm mbetet e pazgjidhur. Një pjesë e marrëveshjes së projektit, e cila qarkulloi gjerësisht, duket se parashikon që Irani të marrë, edhe përpara fillimit të negociatave bërthamore, fonde të ngrira në vlerë prej rreth dymbëdhjetë miliardë dollarësh. SHBA e mohojnë këtë. Pavarësisht kësaj, duket se dëmi i shkaktuar nga sanksionet amerikane është dukshëm më i vogël në Iran sesa në ekonominë globale me etje për energji.
Megjithëse tregjet globale po marrin frymë të lehtësuara pas njoftimit se Ngushtica do të rihapet në njëfarë mënyre, mbeten dyshime nëse trafiku detar do të kthehet ndonjëherë në normalitet. “Kjo marrëveshje mund të konsolidojë në fakt kontrollin iranian mbi Ngushticën, duke krijuar një kornizë brenda së cilës Irani mund të vendosë tarifa për anijet që kalojnë përmes saj,” thotë Lissner. Këto tarifa nuk do të kontestohen më nga SHBA. “Kjo mund të jetë arsyeja pse Trumpi deri tani ka refuzuar të publikojë tekstin e marrëveshjes.”
Një fuqi hegjemonike e paqëndrueshme?
Për dekada, epërsia ushtarake e Forcave të Armatosura të SHBA-së ka qenë e lidhur me angazhimin për të ruajtur, së bashku me aleatët me mendje të ngjashme, të ashtuquajturën ‘rend i bazuar në rregulla’. Kjo ka mundësuar transportin e mallrave ekonomike jetike, si nafta, në mbarë botën.
SHBA, si arkitekte e këtij sistemi global, përfituan prej tij. Megjithatë, pikërisht ky sistem vihet në pikëpyetje nga presidenti amerikan Trump herë pas here. Sipas deklaratave të tij, të gjitha vendet e tjera ‘përfitojnë’ nga SHBA pa kontribuar shumë në kthim. Prandaj ai i bëri thirrje aleatëve amerikanë të shpenzojnë më shumë për mbrojtje.
Lissner pajtohet me analistë të tjerë, si historiani Timothy Snyder, se politika e jashtme e SHBA-së nën Trump përbën ‘vetëvrasjen e superfuqisë’. Nën drejtimin e Trumpit, SHBA kanë ‘shkatërruar gradualisht sistemin që Uashingtoni kishte ndërtuar së bashku me aleatët e tij për të siguruar fuqinë dhe prosperitetin e tij’, thotë eksperti i sigurisë. “Lufta me Iranin ka shërbyer vetëm për të forcuar tendencën drejt minimit të mëtejshëm të rendit të bazuar në rregulla dhe largimit të aleatëve amerikanë. Këto masa po çojnë drejt një ‘rrëmujë të re botërore’, e karakterizuar nga dhuna dhe paqëndrueshmëria në rritje.”
Fraksion.com

