AktualitetPolitikëTë fundit

Berisha: PD ka votuar kundër dhe ka çuar në gjykatë ligjin për zonat e mbrojtura

Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha tha sot se opozita ka mbajtur qëndrim të qartë kundër ndryshimeve në ligjin për zonat e mbrojtura, duke theksuar se Partia Demokratike jo vetëm ka votuar kundër në Parlament, por edhe e ka dërguar ligjin në Gjykatën Kushtetuese.

Gjatë një bashkëbisedimi me qytetarët, duke iu referuar protestave për Zvërnecin, Berisha shprehu mbështetjen e opozitës për kauzën e ngritur nga aktivistët dhe shoqëria civile.

“Qëndrimi i Partisë Demokratike ndaj protestës ka qenë, ne mbështesim çdo protestë dhe në këtë protestë kanë marrë pjesë pa asnjë lloj kufizimi të gjithë ata që e kanë konsideruar kauzë të drejtë për të protestuar. Për sa i përket kërkesave, unë i pashë pesë kërkesat e përfaqësuesve. Kjo është protestë qytetare dhe e tillë është e vërteta e saj. E shoqërisë civile, dakord, sepse kanë treguar një shkallë ndërgjegjësimi shumë të lartë.

Ju rikujtoj se Partia Demokratike ka votuar kundër dhe ka çuar në gjykatë ligjin e zonave të mbrojtura të tij. Shëmtimin që i bëri këtij ligji. E ka dërguar në Gjykatën Kushtetuese, e ka votuar kundër dhe e ka çuar në Gjykatën Kushtetuese”, tha Berisha.

Sipas Berishës, kërkesat e paraqitura nga protestuesit janë të drejta dhe përputhen me qëndrimet që opozita ka mbajtur në Parlament dhe në institucionet ligjore.

“Të gjitha çështjet e ngritura nga shoqëria civile dhe qytetarët në ato pika të shpallura, janë të drejta dhe kanë patur kundërshtimin e hapur në parlament, në gjykatë dhe jemi të gatshëm t’i votojmë që nesër”, tha Berisha.

I pyetur në lidhje me thirrjet kundër tij në protest, Berisha tha se nuk merremi me “opozitarët e opozitarëve”.

Sipas tij, “kauza e këtyre qytetarëve është për shpëtimin e Shqipërisë nga një regjim që po shkatërron”.

Fraksion.com

Social Media Auto Publish Powered By : XYZScripts.com