Qytetarët i kthehen ‘live’, Rama justifikohet në Vlorë: Zvërneci çështje e pronarëve, shitet apo nuk shitet, s’e vendos protesta
Kryeministri Edi Rama ka reaguar nga Vlora lidhur me situatën e krijuar në Zvërnec, hetimet e fundit dhe protestat e qytetarëve e grupeve të interesit që lidhen me planet për investime të huaja në këtë zonë bregdetare, ndërsa është përballur me kritika nga banorët në diskutim, të cilët kanë thënë se tokat janë grabitur me dokumente të falsifikuara.
Kreu i qeverisë ka prerë shkurt diskutimet lidhur me akuzat për “shitje të trojeve”, duke sqaruar ndarjen mes asaj që menaxhohet nga shteti dhe pronave private, si dhe ka konfirmuar se investitorët i janë nënshtruar filtrave të kontrollit për pastrimin e parave.
Rama kërkoi që të kthehet vëmendja te qëndrimet e tij fillestare kur nisi të flitej për projektet në Sazan dhe Zvërnec. Ai pretendoi se fati i Zvërnecit nuk vendoset as nga qeveria dhe as nga protestat, por nga marrëdhëniet mes privatëve.
“Nëse ju ktheheni në kohë kur ka dalë për herë të parë shprehja e interesit nga familja e presidentit të SHBA për Shqipërinë dhe kur është folur për Sazanin dhe Zvërnecin, unë e kam thënë qartë se Sazani është çështje e qeverisë shqiptare sa i takon marrëveshjes dhe mënyrës si do shkohet me të, ndërsa pjesa e Zvërnecit është çështje private, pronarësh privatë,” u shpreh Rama.
Ai shtoi se pretendimet e protestuesve nuk mund të ndërhyjnë mbi të drejtën e pronësisë: “Pronarët privatë merren vesh privatisht. Kështu që Shqipëria shitet apo nuk shitet kur vjen puna te pjesa private, këtë e vendosin pronarët, as protestuesit, as qeveritë.”
I pyetur mbi verifikimet e titujve të pronësisë në atë zonë, ku shpesh ka mbivendosje dhe konflikte, ai tha se agjencitë shtetërore e nisin punën nga ajo që është e regjistruar zyrtarisht në zyrat e shtetit, duke pranuar se në vend ka me qindra pretendime të paftuara me dokumente zyrtare.
“Kur vjen një shprehje interesi pyetet për hipotekën e pronës. Ka pretendentë në Shqipëri sa të duash që nuk i kanë pronat me hipotekë, por me pretendimet e tyre, me apo pa letra. Veprimtaria e agjencisë në këtë rast është te ajo që është paraqitur dhe verifikuar siç verifikohet çdo proces,” tha ai.
Lidhur me hetimet që po zhvillohen për trojet në Zvërnec, Rama i cilësoi ato si një zhvillim që ndihmon këdo që ka të drejtë legjitime përmes gjykatave. Megjithatë, ai sqaroi se hetimi nuk ka të bëjë me kompaninë ndërkombëtare apo me vetë projektin e zhvillimit, por me subjektin vendas që ka kryer shitjen e tokës.
“Fakti që ka pasur hetim është tejet pozitiv për këdo që mund ta fitojë me gjykatë pronën. Hetimi nuk bëhet për kompaninë, nuk zhvillohet për investimin, për projektin, për zhvillimin atje. Hetimi ishte në proces dhe është në proces për një subjekt që ka shitur pronën,” nënvizoi kreu i ekzekutivit.
Rama tha se nga ana e shtetit shqiptar janë kryer të gjitha kontrollet e duhura ligjore mbi pastërtinë e kapitaleve që pritet të hyjnë në këtë projekt: “Dhe për këtë arsye pasi ka marrë të gjitha të dhënat nga agjencia jonë e kontrollit të pastrimit të parave që ka bërë verifikimin për burimin e fondeve të investitorëve.”
Fraksion.com

