AktualitetPolitikëTë fundit

Costa: KE ka propozuar mbylljen e tre kapitujve negociues me Shqipërinë

Komisioni Europian ka propozuar mbylljen e tre kapitujve negociues me Shqipërinë.

Lajmin e bëri të ditur presidenti i Këshillit Evropian, António Costa, në konferencën për shtyp pas Samitit BE–Ballkani Perëndimor të zhvilluar sot në Tivat.

Costa vlerësoi progresin e vendeve të Ballkanit Perëndimor në rrugën drejt Bashkimit Evropian, duke theksuar se procesi i zgjerimit ka marrë një momentum të ri dhe konkret.

“Javën e kaluar, mbajtëm një Konferencë Ndërqeveritare me Shqipërinë, e cila hapi fazën e ardhshme të procesit të anëtarësimit. Për më tepër, Komisioni ka propozuar mbylljen e tre kapitujve negociues me Shqipërinë”, deklaroi Costa.

Costa nënvizoi se, Bashkimi Evropian mbetet i përkushtuar ndaj zgjerimit, i cili sipas tij është një investim gjeopolitik për paqe, siguri dhe prosperitet në Evropë.

Ai theksoi se vendet e Ballkanit Perëndimor janë pjesë e pandashme e së ardhmes së BE-së, ndërsa u bëri thirrje vendeve të rajonit të shfrytëzojnë momentin aktual për të përshpejtuar reformat dhe procesin e integrimit.

Presidenti i Këshillit Evropian shtoi se përputhja me politikën e përbashkët të jashtme dhe të sigurisë së BE-së mbetet një element thelbësor në rrugën drejt anëtarësimit.

Ai gjithashtu nënvizoi rëndësinë e bashkëpunimit rajonal dhe marrëdhënieve të fqinjësisë së mirë si faktorë kyç për stabilitetin dhe zhvillimin ekonomik të rajonit.

Në përfundim, Costa rikonfirmoi se Bashkimi Evropian do të mbetet partneri më i besueshëm i Ballkanit Perëndimor, duke theksuar se e ardhmja e rajonit është e lidhur me të ardhmen e Bashkimit Evropian.

 

Fraksion.com

Social Media Auto Publish Powered By : XYZScripts.com