“Vritet një polic, plagoset një tjetër”, përplasje me armë gjatë operacionit në Maliq
Një ngjarje e rëndë është regjistruar në Maliq këtë të enjte, 4 qershor, ku gjatë një operacioni policor për kapjen e një personi në kërkim ka ndodhur një përplasje me armë. Si pasojë një person ka mbetur i vrarë dhe një tjetër i plagosur.
Ngjarja ka ndodhur në një zonë malore të Lozhanit, në Maliq, ku strukturat e policisë pasi kishin identifikuar një person në kërkim kanë zhvilluar një operacion për kapjen e tij. Mirëpo personi i kërkuar rezultoi i armatosur dhe ka hapur zjarr ndaj efektivëve, duke i marrë jetën njërit prej tyre dhe plagosur një tjetër.
Nga përplasja me armë dyshohet se ka mbetur i plagosur edhe autori i ngjarjes, i cili më pas është ndaluar. Ai është identifikuar si V.B, 43-vjeç, i dënuar me 10 vite burg në mungesë, për prodhim dhe shitje të lëndëve narkotike.
“Rreth orës 07:30, shërbimet e Policisë kanë rrethuar vendin (stanin) ku dyshohej se fshihej personi në kërkim, konkretisht shtetasi V.B, 43 vjeç, i dënuar në vitin 2017 me 9 vjet, 11 muaj e 7 ditë burgim nga Gjykata e Korçës, për veprën penale ‘Prodhimi dhe shitja e narkotikëve’, ndërsa në vitin 2011 ndaj tij është caktuar masa e sigurisë ‘Arrest në burg’, për veprën penale ‘Kultivimi i bimëve narkotike’.
Shërbimet e Policisë i kanë bërë thirrje të kërkuarit të dilte dhe të dorëzohej, por ai nuk i është bindur thirrjes së Policisë dhe ka hapur zjarr në drejtim të punonjësve të Policisë, ku për pasojë ka humbur jetën punonjësi i Policisë, inspektor E. M., 34 vjeç, dhe ka mbetur i plagosur punonjësi i Policisë, inspektor E. A., 36 vjeç (të dy punonjës të Forcës së Posaçme ‘Shqiponja’ të DVP Korçë).
Për të neutralizuar sulmin e të kërkuarit, shërbimet e Policisë i janë kundërpërgjigjur me armë zjarri dhe, si pasojë e shkëmbimit të zjarrit, ka mbetur i plagosur edhe i kërkuari, shtetasi V.B, i cili më pas është arrestuar.”, kanë bërë me dije uniformat blu.
Efektivi i plagosur me inicialet E.A po merr ndihmën e parë në spitalin e Korçës. Ai pritet që të niset drejt Tiranës me helikopter për shkak të gjendjes së rënduar shëndetësore.
Sakaq, grupi hetimor ka nisur punën për dokumentimin e plotë ligjor të kësaj ngjarjeje.
Fraksion.com

