AktualitetTë fundit

Vrau një polic dhe plagosi një tjetër! E shkuara kriminale e Violand Braçellarit, si tërhoqi zvarrë një person me kalë në Lozhan të Korçës

Një ngjarje e rëndë ndodhi mëngjesin e kësaj te enjteje, kur një punonjës policie u vra dhe një tjetër u plagos gjatë një operacioni për kapjen e një të shumëkërkuari në Lozhan të Maliqit.

Kjo pasi mëngjesin e kësaj të enjteje, u zhvillua një operacion në Malin e Bodenit, pasi policia kishte informacione se i shumëkërkuari Violand Braçellari, i dënuar në vitin 2017 me 9 vjet e 7 muaj burgim për prodhim dhe shitje të lëndëve narkotike dhe prej kohësh qëndronte i fshehur në një stan në pyll.

Braçellari nuk iu bind urdhrit të efektivëve të forcave të posaçme “Shqiponja” për t’u dorëzuar dhe hapi zjarr drejt tyre, dhe për pasojë mbeti i vrarë polici 34-vjeçar Enea Mekolli ndërsa kolegu i tij Edison Adri 36 vjeç u plagos. Efektivët e tjerë qëlluan drejt autorit, duke e lënë të plagosur.

Sipas burimeve “News24” ka mësuar se në 2024 Prokuroria e Korçës e ka marrë Violand Braçellarin të pandehur për veprën penale “plagosje e lehtë me dashje”, por në seancat gjyqësore mësohet se ai nuk është paraqitur asnjëherë.

Kjo për faktin se Oficerët e Policisë Gjyqësore nuk e kanë gjetur në adresën e tij të banimit, për t’i dhënë fletëthirrjen e gjykatës. Të njëjtat burime bëjnë me dije, se autori është hetuar edhe për një tjetër incident, ku ka tërhequr zvarrë me kalë një person në Lozhan.

Polici i plagosur dhe autori i vrasjes u dërguan fillimisht në Spitalin e Korçës dhe më pas u nisën me helikopter drejt Spitalit të Traumës në Tiranë.

Ndërsa polici Edison Adri mori një plumb në nofull, kurse autori Violand Braçellari ka marrë një plumb në brinjë, por të dy janë jashtë rrezikut për jetën.

Violand Braçellari ishte në kërkim për llogari të Policisë së Vlorës dhe në Lozhan njihej si person problematik, i përfshirë në ngjarje të ndryshme kriminale.

Burime për News24 bëjnë të ditur se stani, ku fshihej autori, monitorohej prej tij me kamera sigurie dhe qen, si dhe dyshohet se kishte përshtatur edhe ambiente të tjera në pyll për t’u fshehur.

 

Fraksion.com

Social Media Auto Publish Powered By : XYZScripts.com