AktualitetPolitikëTë fundit

“Transformimi i Pallatit të Kongreseve”, Rama: Koorporata e Investimeve, kontrata me mbi 523 milionë euro përfitim direkt për shtetin

Kryeministri Edi Rama deklaroi sot se transformimi i Pallatit të Kongreseve dhe zhvillimi i zonës përreth synon krijimin e një poli tjetër turistik në kryeqytet.

I pranishëm në konkursin ndërkombëtar për rikualifikimin e Pallatit të Kongreseve, kryeministri Rama u shpreh se tashmë shteti kthehet në një zotërues pronash.

“Shteti adreson nevojat e veta duke vënë në dispozicion, njësoj siç bëjnë të gjithë pronarët legjitimë të aseteve të veta, por jo më si në të kaluarën, jo më duke i dhënë ato për zhvillim me kosto dhe përfitime simbolike, por duke u kthyer në një zotërues të madh asetesh me vlerë të cilat janë në dispozicion të shtetit”, tha Rama.

Kryeministri kujtoi se ka akoma sot një numër të konsiderueshëm hapësirash ku operojnë institucionet publike të cilat janë me qira që paguajnë për pronarët privatë.

“Këtu po ndodh një forcim i rëndësishëm drejt zotërimit të aseteve nga shteti dhe ndërkohë përmes kësaj po ndodh edhe një transformim i rëndësishëm i strukturës urbane dhe i cilësisë së ndërtimeve që ndodhin”, theksoi Rama.

Kryeministri u shpreh se Pallati i Kongreseve, nga pikëpamja e infrastrukturës së brendshme ka probleme serioze për të adresuar.

Ndaj Rama tha se tani është koha për transformim duke ruajtur identitetin e tij.

Thirrja për bashkëpunim e sipërmarrjes, sipas kryeministrit, nënkupton edhe zhvillimin e një ose disa objekteve pranë Pallatit të Kongreseve.

“Qëllimi përfundimtar është që ky pallat të vijë në kohë nga pikëpamja e teknologjisë, e cilësisë së hapësirave, nga pikëpamja e gjithë strukturës të riorganizuar dhe të riangazhuar cilësisht. Ky pallat dhe kjo zonë do të bëhet një destinacion tjetër i Tiranës turistike, duke mos e lënë një ishull gjithmonë të heshtur ku nuk ka aktivitete, por duke krijuar edhe këtu jetë siç kemi krijuar rreth gropës së dikurshme të stadiumit, që sot është një pol tjetër të jetës së kryeqytetit”, shtoi Rama.

Kryeministri tha se aktiviteti i Korporatës Shqiptare të Investimeve ka sjellë mbi 523 milionë euro përfitim direkt për shtetin, ndërsa përfitueshmëria ekonomike e kontraktuar ka kaluar 1 miliard euro.

Gjatë prezantimit të projekt-ideve finaliste për rikualifikimin e Pallatit të Kongreseve, Rama bëri një bilanc të konkurseve ndërkombëtare të zhvilluara nga Korporata Shqiptare e Investimeve.

“Bashkë me këtë konkurs jemi në 15 konkurse të realizuara ndërkombëtare, kemi 3 konkurse që janë duke u përgatitur. Të gjitha konkurset janë të standardeve më të larta ndërkombëtare jo vetëm për nga pjesëmarrja e arkitektëve, ndër më të mirënjohurit e botës së sotme dhe as vetëm për nga përbërja e jurive ndërkombëtare, por edhe për nga procedurat e ndjekura”, u shpreh Rama.

Sipas tij, aktualisht janë 12 kontrata të lidhura dhe 7 kontrata të tjera në proces, ndërsa janë 3 masterplane dhe 20 objekte publike në zhvillim.

“Gjithë thelbi i aktivitetit të Korporatës Shqiptare të Investimeve është që duke vënë në dispozicion prona shtetërore të degraduara ose në nevojë për zhvillim të marrë mbrapsht përfitueshmërinë e lartë financiare dhe nga pikëpamja e hapësirës në funksion të publikut, në funksion të nevojave të institucioneve publike”, deklaroi Rama.

“Përfitueshmëria e KISH nga kjo fazë e parë e punës së saj është e kuantifikuar bazuar në kontratat e lidhura me vlerë 523 milionë euro, pra mbi gjysmë miliard euro janë të kuantifikuara në përfitimin direkt të shtetit nga ky aktivitet, ndërkohë që përfitueshmëria ekonomike e kontraktuar është mbi 1 miliard euro”, tha Rama.

Ai shtoi se sipërfaqja e tokës së vënë në dispozicion deri tani është 46,700 m2, ndërsa sipërfaqja e përfituar për nevojat e shtetit dhe institucioneve publike arrin në 267 mijë m2.

“Patjetër janë 355 mijë m2 të përfituara nga sipërmarrja, pra është një partneritet me sipërmarrjen ku shteti adreson nevojat e veta”, u shpreh Rama.

 

Fraksion.com

Social Media Auto Publish Powered By : XYZScripts.com