Dhuna dhe spray ndaj protestuesve në Zvërnec, u hiqet licenca ‘Myrto Security’ e ‘Major Security’!
Policia e Shtetit njoftoi sot se pas protestës së datës 30 maj në Portonovë, Zvërnec, iu është hequr licenca dy subjekteve ShPSF “Myrto Security 1.3A” dhe ShPSF “Major Security”, të cilat ishin kontraktuar nga pronari për ruajtjen dhe sigurinë fizike të pronës në Portonovë, Zvërnec.
Policia njoftoi se, “në vijim të veprimeve administrative të kryera nga Departamenti për Sigurinë Publike, për vlerësimin e zbatimit të përgjegjësive ligjore nga subjektet ShPSF “Myrto Security 1.3A” dhe ShPSF “Major Security”, rezultoi se të dyja subjektet janë konstatuar në shkelje, konkretisht:
“Subjekti ShPSF “Myrto Security 1.3A” nuk kishte marrë masat për sigurinë e objektit dhe nuk kishte zbatuar rregullat për regjimin e hyrjes dhe daljes së personave dhe mjeteve në objekt. Nga ana e këtij subjekti nuk administrohej lista e personave dhe mjeteve që lejoheshin të hynin në objekt. Për shkak të mospërmbushjes së këtyre kritereve, më datë 30.05.2026, janë lejuar të hyjnë në brendësi të rrethimit, persona të paidentifikuar dhe të panjohur nga personeli i shërbimit”.
Gjithashtu sipas policisë, këta persona, gjatë tubimit, kanë ndërhyrë pa patur asnjë atribut ligjor dhe kanë goditur e tërhequr me forcë një shtetas pjesëmarrës në protestë, duke i shkaktuar lëndime trupore.
“Gjithashtu, kanë reaguar kundër protestuesve me gurë dhe sende të tjera nga rrethimi i pronës. Ndaj këtyre shtetasve që kryen veprimet e dhunshme, punonjësit e ShPSF “Myrto Security 1.3A” nuk kanë kryer asnjë veprim parandalues apo për largimin e tyre”, njoftoi policia.
Më tej policia njoftoi se “punonjësi i licencuar i subjektit ShPSF “Major Security”, së bashku me dy persona të tjerë, të cilët u proceduan penalisht, dhe nga verifikimet rezultoi se dy të proceduarit nuk figuronin të regjistruar apo të licencuar nga subjekti SHPSF “Major Security”, kryen veprime arbitrare duke shpërdoruar detyrën dhe në tejkalim të kompetencave, pasi goditi me grusht një prej protestuesve, e morën me forcë dhe e çuan në brendësi të rrethimit duke i shkaktuar dëmtime trupore”.
Sipas policisë, në përfundim të hetimeve administrative, për shkeljet e konstatuara në të dy subjektet, ShPSF “Myrto Security 1.3A” dhe ShPSF “Major Security”, referuar ligjit “Për shërbimin privat të sigurisë fizike”, me vendim të Drejtorit të Përgjithshëm të Policisë së Shtetit, të dy subjekteve iu hoq licenca për ushtrimin e këtij aktiviteti.
Hetimet penale dhe administrative vijojnë.
Ndërkohë ditën e djeshme Kompania zhvilluese “Zvërnec South Adriatic Development” ka reaguar zyrtarisht pas ngjarjes së rëndë të regjistruar gjatë protestës së zhvilluar në zonën e Zvërnecit, ku punonjës të sigurisë private u përfshinë në përplasje fizike me qytetarët.
Në një deklaratë për mediat, kompania ka bërë të ditur se ka vendosur ndërprerjen e menjëhershme të marrëdhënies kontraktuale me kompaninë e sigurisë “Major Security”, pas publikimit të pamjeve që tregonin dhunë ndaj protestuesve. Konkretisht, roja Gerald Biba tërhoqi zvarrë brenda rrethimit një prej qytetarëve që ndodheshin aty pranë për të kundërshtuar projektin.
Sipas zhvilluesit të projektit, veprimet e punonjësve të sigurisë nuk kanë qenë të udhëzuara apo të autorizuara nga ana e tyre, duke theksuar se çdo sjellje e tillë është e papranueshme dhe jashtë çdo kuadri ligjor.
Në deklaratë nënvizohet se rojet private kishin detyrën të garantonin sigurinë e zonës zhvillimore private, por ndërhyrja ndaj një qytetari dhe tërheqja e tij me forcë brenda perimetrit të pronës përbën, sipas kompanisë, një akt të dënueshëm si moralisht ashtu edhe ligjërisht.
Për këtë arsye, kompania ka kërkuar që institucionet ligjzbatuese të kryejnë një hetim të plotë, të pavarur dhe të paanshëm mbi ngjarjen, si dhe të identifikojnë përgjegjësit për incidentin.
Sipas kompanisë, projekti synon të ndërtohet në përputhje me standardet më të larta ndërkombëtare dhe me respekt të plotë për ekosistemin e zonës, duke u paraqitur si një model zhvillimi i harmonizuar me natyrën.
Deklarata e plotë:
Pasi kemi shqyrtuar me përgjegjësi të plotë materialet e bëra publike mbi sjelljen e pajustifikueshme të shoqërisë së sigurisë, kompania “Zvërnec South Adriatic Development” njofton shtypin dhe opinionin publik si më poshtë:
Për të garantuar sigurinë e zonës zhvillimore, që është tërësisht pronë private, ishte kontraktuar një kompani sigurie e pajisur me lejet dhe licencat përkatëse nga institucionet shtetërore dhe me përvojë në këtë fushë.
Por ekzaminimi i materialeve e bën absolutisht të papranueshme vazhdimin e marrëdhënies kontraktuale me këtë shoqëri. Në asnjë moment, kompania e kontraktuar e sigurisë nuk ka pasur instruksione nga ana jonë për të vepruar në kundërshtim me autorizimet ligjore dhe në cenim të të drejtave të garantuara për qytetarët shqiptarë.
Ndërhyrja ndaj një qytetari që ishte në të drejtën e tij të plotë për të protestuar jashtë kufirit të pronës, dhe tërheqja e tij brenda saj për të ushtruar forcë, nuk është vetëm e papranueshme moralisht, por edhe e dënueshme penalisht. Për këtë arsye kemi ndërprerë me efekt të menjëhershëm marrëdhënien kontraktuale me shoqërinë e sigurisë.
Kërkojmë ndjesë për këtë incident të panevojshëm dhe u bëjmë thirrje organeve kompetente të kryejnë një hetim të plotë e të paanshëm të ngjarjes dhe të ndëshkojnë sipas ligjit personat përgjegjës. “Zvërnec South Adriatic Development” qëndron në dispozicion të plotë ndaj autoriteteve dhe të gjitha palëve të tjera të interesuara, me gatishmëri dhe transparencë të plotë.
Ritheksojmë se marrëdhënia me komunitetin është thelbësore për investitorët dhe mbetemi të angazhuar të bashkëpunojmë me të gjithë banorët e zonës. Në javët në vijim do të shtojmë përpjekjet tona për një komunikim më thelbësor me komunitetin e respektuar të zonës.
Po ashtu shprehim keqardhjen që episodi i shëmtuar i djeshëm po shfrytëzohet për të qarkulluar në rrjetet sociale pamje tërësisht të fabrikuara të projektit, me qëllim nxitjen e idesë së gabuar se zhvillimi do të shkatërrojë natyrën.
Vlera ndërkombëtare e projektit qëndron pikërisht në përkushtimin maksimal për të harmonizuar projektin me natyrën, sipas standardeve më të larta të aplikuara ndonjëherë, në mbrojtje të ekosistemeve të veçanta të zonës, si vlerë e padiskutueshme e trashëgimisë natyrore të Shqipërisë.
Projekti final do t’i prezantohet në kohën e duhur publikut si dëshmi përtej çdo dyshimi e një shembulli të shkëlqyer të harmonisë me natyrën.
Fraksion.com

