Shqipëria dënon sulmin rus me dron në Rumani
Shqipëria dënoi sot sulmin rus me dron në Galați (Rumani), i cili goditi një ndërtesë banimi dhe plagosi civilë, përfshirë një të mitur.
Ministria për Evropën dhe Punët e Jashtme, në një reagim, shprehu solidaritetin e plotë me popullin dhe autoritetet e Rumanisë dhe i uroi shërim të shpejtë dhe të plotë të plagosurve.
“Ky incident përfaqëson një përshkallëzim serioz dhe të papërgjegjshëm nga ana e Federatës Ruse dhe nënvizon më tej absurditetin dhe koston njerëzore të luftës së Rusisë kundër Ukrainës, pasojat e së cilës vazhdojnë të kërcënojnë sigurinë dhe mbrojtjen e civilëve përtej kufijve të Ukrainës”, thekson MEPJ në reagim.
MEPJ nënvizon se, Shqipëria do të vazhdojë të qëndrojë në solidaritet të plotë me aleatët dhe partnerët tanë, në mbështetje të përpjekjeve të koordinuara për t’i dhënë fund kësaj lufte, në mbrojtje të paqes, sigurisë dhe parimeve themelore të së drejtës ndërkombëtare.
Fraksion.com

