AktualitetTë fundit

U arrestuan në Greqi pas plagosjes së pakistanezit, kush janë dy të rinjtë nga Saranda

Jerasimo Korkuti, 31 vjeç nga fshati Gjashtë i Sarandës dhe Andi Beqiri, 27 vjeç nga Konispoli, janë dy të rinjtë e arrestuar dy ditë më parë nga policia greke pas plagosjes së një pakistanezi dhe një ndjekjeje në Athinë, ku automjeti i tyre “BMW” u përplas me disa mjete të tjera.

Së bashku me ta u arrestua edhe një grek 30-vjeçar, person me precedentë të rëndë penalë në Greqi, i cili dyshohet si autori kryesor i plagosjes së pakistanezit në dyqanin e tij, pasi hyri brenda i maskuar dhe i shoqëruar nga një prej shqiptarëve. Një person i katërt, gjithashtu i dyshuar si shqiptar, ka arritur të largohet dhe po kërkohet nga policia.

27-vjeçari nga Konispoli, Andi Beqiri, nuk është një emër i panjohur për policinë greke. Në shtator 2022, ai është kapur në zonën e Haidarit në Athinë, në një automjet ku u gjetën dy kallashnikovë me dy krehra me 90 fishekë. Në makinë u gjetën edhe dy bileta që i përkisnin qytetit kufitar me Shqipërinë, Igumenicës. Së bashku me të u arrestua edhe 41-vjeçari Viktor Çala. Ky i fundit rezultoi person në kërkim në Greqi, i dyshuar si autor i vrasjes së një romi dhe tentativës së vrasjes ndaj një shqiptari.

Lidhur me vrasjen, policia zbuloi se ajo ishte urdhëruar nga 49-vjeçari nga Berati, Klod Cara, alias Klodian Lekocaj, person i burgosur prej vitesh në Greqi dhe i akuzuar si urdhërues i dhjetëra krimeve të rënda, përfshirë disa vrasje. Sa i përket plagosjes së pakistanezit dy ditë më parë në Patisia, policia dyshon se ngjarja është kryer për larje hesapesh. Autori i dyshuar është një 30-vjeçar grek, i cili më parë ka qenë i përfshirë në një plagosje me thikë ndaj një biznesmeni dhe në një vrasje në kuadër të përplasjeve mes huliganëve tifozë grekë.

 

Në dyqanin e pakistanezit ai dyshohet se hyri së bashku me një nga shqiptarët, me fytyrat e mbuluara me maska kirurgjikale. Pas ngjarjes, ata i priste një BMW me të cilën u larguan, por u përplasën me disa mjete të tjera gjatë arratisjes, derisa u ndaluan nga policia.

 

Fraksion.com

Social Media Auto Publish Powered By : XYZScripts.com