AktualitetPolitikëTë fundit

Lamallari: Shqipëria mbështet Italinë në sfidat që lidhen me emigracionin e paligjshëm

Ministri i Punëve të Brendshme, Besfort Lamallari deklaroi se Shqipëria vazhdon të mbështesë Italinë në sfidat që lidhen me emigracionin e paligjshëm dhe sigurinë rajonale.

Në një konferencë për shtyp me gazetarët, ministri Lamallari iu përgjigj pyetjes së gazetarëve në lidhje me komunikimet me homologun italian Matteo Piantedosi dhe vizitën e këtij të fundit në Tiranë.

Ministri Lamallari konfirmoi se me palën italiane, nuk ka pasur asnjë diskutim në lidhje me mundësinë e kthimit të kampit të Gjadrit nga një qendër riatdhesimi në një qendër strehimi. Ai theksoi se komunikimet mes palëve janë fokusuar te bashkëpunimi strategjik në fushën e sigurisë dhe emigracionit.

“Kemi folur për bashkëpunimin në nivel strategjik, luftën kundër krimit të organizuar, trafiqeve, trafikut të drogës apo përballimin e emigracionit të paligjshëm”, u shpreh ministri.

Lamallari shtoi se “Shqipëria vijon të mbështesë Italinë në sfidat që lidhen me emigracionin e paligjshëm, duke e konsideruar këtë një vendimmarrje të qartë të qeverisë shqiptare”.

“Shqipëria i qëndron pranë Italisë në sfidat që ka hasur në raport me emigracionin e paligjshëm. Kjo ka qenë një vendimmarrje e qartë e qeverisë shqiptare dhe mbetemi të angazhuar në këtë drejtim”, tha Lamallari.

Ai solli në vëmendje edhe mbështetjen që Italia i ka dhënë Shqipërisë ndër vite, veçanërisht në luftën kundër kultivimit të kanabisit, duke nënvizuar se partneriteti mes dy vendeve është i ndërsjellë.

“Ashtu siç kemi pasur mbështetjen që Italia na ka dhënë në përballimin e fenomeneve të caktuara, si lufta kundër kultivimit të kanabisit, edhe ne, si popull mik, kemi detyrimin t’i gjendemi pranë Italisë në përballimin e sfidave që i takojnë Italisë”, deklaroi Lamallari.

Ministri i Punëve të Brendshme e cilësoi këtë bashkëpunim si një mesazh të rëndësishëm jo vetëm për marrëdhëniet dypalëshe, por edhe për sigurinë rajonale dhe atë të Bashkimit Evropian.

“Shqipëria, nga një vend që dikur vetëm importonte zgjidhje nga partnerët, sot është kontributore e sigurisë rajonale dhe më gjerë, çka e bën më të besueshme edhe në kuadër të negociatave me Bashkimin Evropian”, përfundoi Lamallari.

 

Fraksion.com

Social Media Auto Publish Powered By : XYZScripts.com