Balla: Mbështesim protestën e studentëve në Maqedoninë e Veriut
Kryetari i grupit parlamentar të Partisë Socialiste, Taulant Balla reagoi sot lidhur me protestën e studentëve shqiptarë në Maqedoninë e Veriut, të cilët kërkojnë që të zhvillojnë provimin e jurisprudencës në gjuhën shqipe.
Në një postim në rrjetet sociale, Balla tha se mbështet kërkesën legjitime të studentëve shqiptarë në Maqedoninë e Veriut për dhënien e provimit të jurisprudencës në gjuhën shqipe, që nuk u lejohet, edhe pse Kushtetuta e njeh si të drejtën e tyre.
“Nëse procedurat rezultojnë të mangëta, është detyrim i Parlamentit dhe qeverisë së Maqedonisë së Veriut që të gjenden zgjidhje të drejta dhe të qëndrueshme”, tha Balla.
Mijëra qytetarë në Shkup, në Maqedoninë e Veriut, shumica prej tyre studentë dhe staf akademik, po mbajnë protestën e radhës duke kërkuar mbajtjen e provimit të Jurisprudencës në gjuhën shqipe.
Me pankarta në duar, protestuesit kanë nisur marshimin në drejtim të Ministrisë së Drejtësisë, duke kërkuar dorëheqjen e ministrit të Drejtësisë. Një nga kërkesat kryesore të studentëve është që provimet të organizohen dhe të zhvillohen në gjuhën shqipe.
Fraksion.com

