AktualitetBota+Të fundit

I dërguari i posaçëm i SHBA ka mbërritur në Groenlandë

Disa muaj pas shkallëzimit të mosmarrëveshjes për pretendimet territoriale të SHBA-së, i dërguari i posaçëm i Trumpit, Landry, ka udhëtuar në Groenlandë. Ai ka folur me ton pajtues.

I dërguari i posaçëm i SHBA-së për Groenlandën, Jeff Landry, ka udhëtuar në ishullin arktik për një vizitë që zgjat disa ditë. Ai mbërriti të dielën në kryeqytetin Nuuk, sipas gazetës Sermitsiaq.

Disa muaj pas shkallëzimit të mosmarrëveshjes mbi pretendimet territoriale të SHBA-së, Landry u takua me kreun e qeverisë së Groenlandës, Jens-Frederik Nielsen, dhe gjithashtu planifikon të marrë pjesë në një konferencë ekonomike. Sipas mediave daneze, përfaqësuesi i SHBA nuk ishte i ftuar. Forumi ekonomik do të mbahet të martën dhe të mërkurën në Nuuk; tema e tij kryesore është nxitja e investimeve në Groenlandë.

Groenlanda është e pasur me burime tokësore të tilla si nafta, uraniumi dhe elementët e metaleve të rralla.

Pas takimit me Landry-n, Nielsen e përshkroi diskutimin si konstruktiv dhe të karakterizuar nga respekti i madh i ndërsjellë. Megjithatë, ai vuri në dukje se nuk kishte “asnjë shenjë” të një ndryshimi të qëndrimit nga ana e SHBA.

“Ne kemi riafirmuar në mënyrë të qartë se populli i Groenlandës nuk është për shitje dhe se banorët e Groenlandës kanë të drejtën e vetëvendosjes,” tha Nielsen. Ministri i Jashtëm i Groenlandës, Mute Egede, gjithashtu deklaroi se qeveria amerikane nuk e kishte braktisur planin e saj për ta vënë nën kontroll ishullin.

Akoma asnjë rezultat nga negociatat me SHBA

Që kur u rikthye në Shtëpinë e Bardhë, presidenti amerikan Donald Trump  ka ngritur pretendime  zotërimi mbi Groenlandën, e cila i përket Danimarkës, anëtare e NATO-s dhe BE-së, duke e futur kështu NATO-n në një krizë të thellë.

Në fund të janarit, pas një takimi me Sekretarin e Përgjithshëm të NATO-s, Mark Rutte, ai tërhoqi kërcënimet e tij për aneksim me forcë. Në vend të kësaj, SHBA, Danimarka dhe Groenlanda krijuan një grup të përbashkët pune. Gjatë muajve të fundit, ky grup ka zhvilluar diskutime konfidenciale mbi të ardhmen e Gronlandës.

Sipas Nielsen, gjatë këtyre diskutimeve ende nuk është arritur asnjë marrëveshje me SHBA-në. “Jemi në negociata, por ende nuk ka marrëveshje,” tha Nielsen javën e kaluar. Së fundmi, mediat raportuan se presidenti amerikan Donald Trump dëshironte të hapte tre baza të reja ushtarake amerikane në Groenlandë.

Nielsen deklaroi se SHBA-ja mund të hapë tashmë baza të reja nën marrëveshjet ekzistuese të mbrojtjes. “Nuk mund të them asgjë konkrete për negociatat, por ne jemi gati të bëjmë më shumë dhe të marrim përsipër përgjegjësi më të mëdha,” tha Nielsen, duke shtuar: “Ne kërkojmë vetëm respekt.”

New York Times: SHBA kërkon një rol vendimtar

Sipas New York Times, duke cituar biseda me zyrtarë në Uashington, Kopenhagë dhe Groenlandë, SHBA-ja kërkon të zgjerojë marrëveshjen ekzistuese të mbrojtjes: në mënyrë që ushtria amerikane të mund të qëndrojë e stacionuar në Groenlandë për një kohë të pacaktuar, edhe nëse territori bëhet i pavarur.Tabelë rrugore që tregon për në kryeqytetin e Groenlandës, Nuuk, përpara Përfaqësisë së Groenlandës.

SHBA kërkon një rol vendimtar në Groenlandë.Fotografi: Kristian Tuxen Ladegaard Berg/NurPhoto/picture alliance

Sipas gazetës, Groenlanda e kundërshton një “klauzolë të përhershme” të tillë. Për më tepër, sipas New York Times, SHBA-ja raportohet se ka zgjeruar diskutimet përtej aspekteve ushtarake. SHBA do të dëshironte të kishte të drejtë vetoje mbi çdo investim të madh në Groenlandë – në mënyrë që të margjinalizojë konkurrentë të tillë si Rusia apo Kina. Danimarka dhe Groenlanda raportohet se janë kundër kësaj.

Kur Landry mbërriti në Nuuk, ende nuk kishte asnjë tregues për këto plane. Ai foli me ton pajtues ndaj transmetuesit danez DR: “Unë jam këtu vetëm për të ndërtuar marrëdhënie, për të dëgjuar, për të mësuar dhe për të parë nëse ka mundësi për të forcuar marrëdhëniet midis SHBA, Groenlandës dhe Danimarkës.” Landry gjithashtu kishte një mesazh nga Trumpi për ta përcjellë. “Ai më tha: ‘Shko atje dhe bëj sa më shumë miq që të mundesh.”

Sidoqoftë, sipas ekspertit danez për Groenlandën, Ulrik Pram Gad, kjo nuk i lehtëson tensionet e konfliktit. “Problemi është se kjo perceptohet si presion, edhe pse ata flasin në një mënyrë të mirë dhe miqësore, sepse agjenda e Trump-it nuk është lënë mënjanë,” i tha ai DR./DW

 

Fraksion.com

Social Media Auto Publish Powered By : XYZScripts.com