“Territorialja”, krerët e bashkive në qarkun Elbasan: Reforma 2014 rriti investimet dhe cilësinë e shërbimeve
Komisioni i Posaçëm Parlamentar për Reformën Administrativo-Territoriale zhvilloi sot dëgjesa me kryetarët e bashkive të qarkut Elbasan, ku në fokus ishte funksionimi i pushtetit vendor pas reformës territoriale të vitit 2014, sfidat e autonomisë financiare dhe përmirësimi i shërbimeve për qytetarët.
Bashkëkryetari i reformës territoriale, Arbjan Mazniku, deklaroi se dëgjesat po zhvillohen në nivel qarku për të krijuar mundësi për diskutime të hapura me të gjithë drejtuesit vendorë mbi çështjet që lidhen me kompetencat, financat dhe funksionimin e qeverisjes vendore.
“Fokusi do të jetë te kompetencat e bashkive, funksionet e tyre, të ardhurat që mbledhin vetë bashkitë, si dhe mënyra e funksionimit të qeverisjes vendore dhe përfaqësimit qytetar”, tha Mazniku.
Bashkëkryetari i komisionit, Luçiano Boçi u shpreh se kryetarët e bashkive janë elementi themelor i pushtetit vendor dhe dëgjesat synojnë të evidentojnë problematikat që lidhen me shërbimet, përfaqësimin dhe autonominë financiare.
Sipas tij, nga takimet me qytetarët kanë dalë shqetësime për largësinë në marrjen e shërbimeve dhe mungesën e përfaqësimit, duke sjellë pasoja direkte në cilësinë e jetës dhe duke ndikuar edhe në fenomenin e shpopullimit.
“Ne duam të gjejmë përbashkësinë më të mirë të funksionalitetit të pushtetit vendor në raport me qytetarin. Pasoja më e dukshme është shpopullimi i Elbasanit dhe i Shqipërisë. Një raport që ka dalë për lindshmërinë natyrore në Shqipëri, i cili përfshin edhe Elbasanin, tregon se vendi ndodhet në trend negativ, sipas të dhënave të INSTAT. Shpopullimi nuk është vetëm një lëvizje migratore, por edhe emigratore”, tha Boçi.
Gjatë dëgjesës, kryetarët e bashkive të qarkut Elbasan sollën shembuj të ndikimit të reformës territoriale në rritjen e shërbimeve dhe investimeve lokale.
Kryetari i bashkisë Belsh, Arif Tafani, e cilësoi Belshin si një nga rastet më të suksesshme të reformës territoriale.
“Belshi, nga një zonë e panjohur është kthyer në një destinacion turistik të rëndësishëm, sidomos gjatë fundjavës, me mbi 250 mijë vizitorë në vit. Para vitit 2014 nuk bëhej fjalë për menaxhim mbetjesh apo mirëmbajtje të kanaleve kulluese dhe rrugëve bujqësore, ndërsa sot këto shërbime ofrohen në të gjithë territorin”, tha Tafani.
Kryetari i bashkisë Përrenjas, Nuri Belba vlerësoi se bashkimi i njësive vendore ka sjellë më shumë mundësi zhvillimi dhe investimesh.
“Në vitin 2014 nuk kishim qendër komunitare për trajtimin e fëmijëve me aftësi të kufizuara dhe as rrugë të asfaltuara. Sot kemi investime konkrete në disa fshatra vetëm nga grantet dhe të ardhurat e bashkisë. Reforma e vitit 2014 ishte e duhura”, u shpreh Belba.
Edhe kryetari i bashkisë Peqin, Bukurosh Maçi tha se reforma ka rritur ndjeshëm investimet dhe cilësinë e shërbimeve në njësitë administrative.
“Ish-komunat nuk kishin mundësi të realizonin investime të mëdha më parë. Sot shërbimet janë përmirësuar ndjeshëm dhe Peqini duhet të vazhdojë të mbetet bashki për shkak të historikut dhe funksioneve që ka”, tha ai.
Nga ana e tij, kryetari i bashkisë Librazhd, Mariglen Disha shprehu mbështetjen për vijimin e reformës territoriale si një mundësi për të rritur cilësinë e shërbimeve dhe zhvillimin lokal.
Ndërsa kryetari i bashkisë Cërrik, Florenc Doka ngriti shqetësimin për mungesën e stafit të specializuar në pushtetin vendor për shkak të pagave të ulëta.
“Para vitit 2014, shumë njësi vendore nuk kishin as juristë. Sot sfida mbetet tërheqja e specialistëve, veçanërisht inxhinierëve. Bashkia Cërrik është e gatshme të zgjerohet për të krijuar më shumë mundësi zhvillimi dhe paga më të mira”, deklaroi Doka.
Fraksion.com
