AktualitetPolitikëTë fundit

Rama: Forcim i bashkëpunimit me Izraelin në inovacion, teknologji dhe siguri kibernetike

Kryeministri Edi Rama mori pjesë sot në samitin Shqipëri-Izrael që bën bashkë 40 kompani inovative izraelite për të garantuar sigurinë kibernetike dhe për të forcuar ekonominë e Shqipërisë dhe rajonit përmes teknologjisë së fjalës së fundit.

Kryeministri vlerësoi se ky është një partneritet i ndërtuar mbi vlera të larta njerëzore dhe mirënjohje historike mes dy vendeve tona, që daton nga strehimi i hebrenjve në kohë vështirësie.

Rama vlerësoi dijen që ofron Izraeli në fushën e teknologjisë dhe ndihmën që do t’i japë Shqipërisë për të ecur para në këtë fushë.

“Ne jemi në një rrugë që e kemi çelur duke i besuar teknologjisë së re dhe duke i besuar dixhitalizimit të infrastrukturës sonë e duke i besuar bekimit që është teknologjia e re për vende si tonat, që janë pas, por që përmes teknologjisë mund të bëjnë një kërcim përpara dhe mund të bëjnë gjëra që ndonjëherë vendet e mëdha, shumë më të zhvilluara, shumë më të suksesshme në mënyrat e vjetra, e kanë më të vështirë të bëjnë”, shtoi Rama.

Sipas tij, Izraeli është shembulli më i jashtëzakonshëm i asaj që mund të bëhet bazuar në dije dhe jo në burime.

Duke u ndalur te siguria kibernetike, Rama solli në vëmendje përballjen me sulmet kibernetike të Iranit ndaj vendit tonë.

“E zbuluam sigurinë kibernetike në mënyrën më të vështirë edhe njëherë si rezultat i mikpritjes sonë. Ne ju hapëm derën disa mijëra iranianëve të cilët janë në opozitë dhe nuk e bëmë për shkak të ndonjë motivi politik. Nuk e bëmë që t’u jepnim një platformë në Shqipëri, të luftonin nga Shqipëria këtë regjim, e bëmë sepse jetët e tyre ishin në rrezik dhe askush nuk donte t’i shpëtonte. Ne ju hapëm dyert, ju dhamë strehë dhe bëmë një marrëveshje të cilën e kemi ende që ata mund të jetojnë në Shqipëri të rritin fëmijët e tyre këtu jashtë çdo rreziku dhe për aq kohë sa është e nevojshme”, tha Rama.

Megjithatë, sipas tij, “kjo erdhi me hakmarrje nga regjimi iranian që nuk e duronte dot këtë gjë dhe na sulmoi”.

“Sulmoi atë që kishim ndërtuar pa reshtur me vite të tëra për të transformuar shërbimet tona publike nga një sistem tërësisht korruptiv e i zymtë që u shërbente qytetarëve mbështetur në ryshfete, në një sistem tërësisht të shpejtë, transparent, pa tarifa, që ofrohej online. U bëmë një vend që 95% të shërbimeve i ofron online përmes ekraneve brenda dhe jashtë vendit dhe këtë synuan ata. Synuan ta shkatërronin këtë për të na çuar mbrapsht, në kohën e errët të shërbimeve publike në nivelin më të ulët”, shtoi Rama.

Rama vlerësoi ndihmën e Izraelit në përballjen e Shqipërisë me sulmet kibernetike.

“Falë kësaj ndihme dhe ndihmës edhe të miqve tanë nga Emiratet e Bashkuara si dhe disa ekspertëve nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës i mbijetuam këtij sulmi. Mësuam sidoqoftë se na duhet të investojmë dhe të ndërtojmë një sistem mbrojtje dhe nuk është e lehtë sepse sistemi ynë mbrojtës duhet të përballonte sulmet e një armiku jo të lehtë  m të cilin ndërpremë çdo marrëdhënie”, shtoi Rama.
Kryeministri vlerësoi se sot mund të themi me krenari që kemi një nivel krejt të ndryshëm të mbrojtjes kibernetike dhe kjo falë edhe bashkëpunimit me Izraelin.
Në përfundim kryeministri siguroi se nuk ka antisemitizëm në Shqipëri dhe hebrenjtë janë gjithmonë të mirëpritur.
Duke u ndalur te marrëdhëniet dypalëshe, Rama theksoi se ka një rritje me më shumë se 700% të vizitorëve hebrenj që vijnë në Shqipëri.
“Natyrisht është më shumë se 700%, një shifër që ishte gati në zero, por ne shpresojmë që të vazhdojmë. Kemi më së fundi një fluturim të drejtpërdrejtë dhe shpresojmë që të kemi edhe më shumë shkëmbime me Izraelin”, shtoi Rama.
Fraksion.com
Social Media Auto Publish Powered By : XYZScripts.com