AktualitetPolitikëTë fundit

Rama: Çlirimi i hapësirave publike do të vijojë derisa të marrë fund fenomeni

Kryeministri Edi Rama siguroi sot se aksioni për lirimin e hapësirave publike nga ndërtimet pa leje do të vazhdojë deri në goditjen përfundimtare të këtij fenomeni.

Gjatë prezantimit të paketës së re ligjore për mbrojtjen e territorit, Rama tha se ky aksion do të vazhdojë pa u ndalur, me këmbëngulje, sepse nuk ka Shqipëri 2030 në BE me ndërtime pa leje.

“Theksoj së pari që kthesa e re që ne i kemi marrë në rrugën e gjatë të vendosjes së rendit ligjor mbi territorin për çlirimin e hapësirave publike nuk do të mbarojë pa mbaruar njëherë e mirë jo thjesht ato ngrehina që janë instrumente të zaptimit, por vetë fenomeni. E di që ka shumë njerëz që shpresojnë që kjo do të jetë si makthi i një nate vere, por nuk do të jetë kështu. Kjo do të vazhdojë pa u ndalur, me këmbëngulje, sepse nuk ka Shqipëri 2030 në BE me ndërtime pa leje që arrijnë deri në pikën sa bllokojnë komunitete banorësh për të hyrë e për të dalë. Hyjnë e dalin fëmijët, prindërit, gjyshërit nëpër lokale që të kalojnë nga apartamenti te rruga”, u shpreh Rama.

Nga ana tjetër, Kryeministri theksoi se “jemi shumë të qartë për faktin se jemi një vend mesdhetar turistik dhe do të lejohet vendosja e karrigeve edhe jashtë lokaleve, por mbi bazën e një rregulloreje të mirëpërcaktuar”.

“Pa diskutim do të duhet të kemi tavolina dhe karrige edhe jashtë, por të gjitha me një sistem mbi bazën e një rregulloreje të përgjithshme që është përgatitur. Për çdo karrige që do të vendoset jashtë do të kontribuohet me një pemë për atë metër katror ku vendoset karrigia”, u shpreh Rama.

Rama tha po ashtu se do të krijohen edhe kushtet për të asistuar subjektet që do të duan të vendosin gjithmonë me leje dhe me norma dhe kritere të qarta edhe strehë apo tendë apo çfarëdo qoftë.

“Por nuk bën vaki më me platforma e me hapje të platformave deri te rruga”, shtoi ai.

 

Fraksion.com

Social Media Auto Publish Powered By : XYZScripts.com