AktualitetBota+Të fundit

“Është koha për një parti të re politike”, Musk sondazh pas përplasjes online me Trump

Elon Musk ashpërsoi sulmet ndaj presidentit amerikan Donald Trump, pas fundit problematik të miqësisë me të. Në rrjetin social që ka në pronësi, Musk hapi një sondazh që u bë viral, ku pyet mbi 200 milionë ndjekësit e tij nëse ka ardhur koha për të krijuar një parti të re politike në Shtetet e Bashkuara për të përfaqësuar 80% të popullsisë që janë shtresë e mesme. Nëntë orë pas hapjes së sondazhit votuan mbi 4.6 milionë ndjekës të tij, ndër të cilët mbi 80% janë dakord.

Përplasja virtuale me presidentin amerikan bëri që vlera e aksioneve të kompanisë së automjeteve elektrike “Tesla”, në pronësi të Muskut, të binte me 14% në pak orë, një humbje që përkthehet në 152 miliardë dollarë në vlerë tregu.

Përballja nisi pas një deklarate të presidentit amerikan në takimin me kancelarin gjerman Friedrich Merz në Shtëpinë e Bardhë, ku tha se ishte i zhgënjyer nga kundërshtimi i papritur i miliarderit, që u dorëhoq nga administrata e tij, ndaj planit të ri të shpenzimeve të cilin e kishin hartuar bashkë. Musk e mohoi këtë në një koment në rrjetin X.

Mes lumit të komenteve kundër njëri-tjetrit, Trump shkroi në rrjetin e tij Truth se Musk ishte kthyer kundër tij, pasi shfuqizoi detyrimin ndaj amerikanëve për të blerë makina elektrike. Ndërsa Musk arriti deri atje sa akuzoi Trumpin se është i përfshirë në aferat e bankierit famëkeq Jeffrey Epstein, i cili ndërroi jetë në burg në vitin 2019.

Fraksion.com

Social Media Auto Publish Powered By : XYZScripts.com