AktualitetPolitikëTë fundit

Peleshi: Fytyrën e së shkuarës këtu në Devoll e njihni më mirë se kudo tjetër!

Drejtuesi politik i Partisë Socialiste të qarkut të Korçës, Niko Peleshi i bëri apel sot qytetarëve në Devoll të votojnë PS-në në zgjedhjet e 11 majit, teksa renditi edhe disa nga investimet që do të kryhen në qarkun Korçë gjatë mandatit të katërt.

Në fjalën e tij gjatë një takimi të zhvilluar në Devoll, Korçë, Peleshi tha se “më 11 maj do të ndahemi përfundimisht me të shkuarën, fytyrën e së shkuarës këtu në Devoll e njihni më mirë se kudo tjetër”.

Duke folur për opozitën, Peleshi tha se “ne flasim për të ardhmen, për Europën, për Shqipërinë europiane, ata duan të sjellin dhunën e të shkuarën ne nuk kemi asgjë të përbashkët me ta. Do të divorcohemi nga ajo e shkuar dhe do përqafojmë të ardhmen europiane në BE”.

Peleshi foli edhe për disa prej investimeve që do të kryhen në qarkun e Korçës.

“Për pak muaj Korça do të jetë gjysmë ore më afër Tiranës. Brenda këtij mandati do të fillojë një rrugë, që do të lidhë Korçën me bregdetin. Do të fillojë gazifikimi i Korçës, pastaj besoj do të shtrihemi në Devoll se këtu kalon gazsjellësi TAP. Do kemi mundësi që nga rajoni ynë të fillojë gazifikimi”, u shpreh Peleshi.

Peleshi tha se “do të ketë një spital të ri rajonal dhe një spital të rikonstruktuar. Spitali rajonal i Korçës do të ndërtohet nga e para”.

Në fjalën e tij, Peleshi e vuri theksin edhe tek zhvillimi i turizmit në Devoll.

“Do të ketë një Devoll tjetër në mandatin e ri sepse do të lindë një sektori i ri që akoma nuk e kemi prekur që është sektori i turizmit në Devollin e sipërm ku do të ketë  zhvillime të jashtëzakonshme.  Pista e skive e Nikolicës, kurora e artë e Devollit do t’i shtohet rajonit tonë”, tha Peleshi.

 

Fraksion.com

Social Media Auto Publish Powered By : XYZScripts.com