AktualitetPolitikëTë fundit

“Shqipëria më e varfër se kurrë”, Berisha: Me zero tolerancë do luftojmë vjedhjen e korrupsionin e zyrtarëve

/ Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha zhvilloi pasditen e sotme një takim me banorët e degës numër 2 në Tiranë.

Berisha në fjalën e tij theksoi se gjendja e rëndë ekonomike ku ndodhet Shqipëria ka si faktor korrupsionin, vjedhjet dhe shpërdorimin me taksat e shqiptarëve.

Ai premtoi se me dorë të hekurt, me zero tolerancë, PD do luftojë vjedhjen e korrupsionin e qeveritarëve dhe zyrtarëve dhe krimin e organizuar që siç u shpreh ai, është bërë një me qeveritarët.

“Shqipëria në këto 12 vite eci në një drejtim në të cilin dy gjëra nuk mund t’i mohojë kush. Së pari, në drejtim të largimit të shqiptarëve më shumë se kurrë nga Shqipëria. Aspekti i dytë dramatik i këtij drejtimi është varfërimi i madh dhe i vazhdueshëm i qytetarëve shqiptarë. Ky varfërim ka për tregues të qartë pensionet dhe rrogat krejtësisht të papërshtatshme për çmimet e tregut dhe për një jetë normale”, tha ai.

Sot, theksoi kreu i PD-së, një pensionist me pensionin e tij mesatar merr 165-170 euro, krejtësisht, sipas tij, të pamjaftueshme për përballimin e jetës.

“Të mos diskutojmë për ata që marrin pensionin minimal 120 euro. Por këta që marrin pensione të plota, këta janë pakica. 57% e pensionistëve marrin pensione të pjesshme. E gjithë kjo situatë ka vetëm një faktor dhe ky faktor është korrupsioni, vjedhja, shpërdorimi, përvetësimi i parave të taksave tuaja nga qeveritarët”, deklaroi ai.

Berisha tha se si shtyllë të tretë kryesore të programit të PD-së, është caktuar “Pastrimi i Shtëpisë”.

“Ne nuk do të dilnim para jush, në qoftë se nuk do ishim 100% të sigurt se, me dorë të hekurt, me zero tolerancë, ne do luftojmë vjedhjen e korrupsionin e qeveritarëve dhe zyrtarëve, ne do luftojmë krimin e organizuar që është shndërruar, është bërë një me qeveritarët”, deklaroi Berisha.

Sipas tij, gjithçka rrënohet në qoftë se me gërshërët e ligjit nuk jepet përgjigjja e merituar vjedhjeve dhe shpërdorimit të parave të taksave të qytetarëve.

“Ne e kemi luftuar korrupsionin. Sigurisht, korrupsion ka pasur. Por u them unë ju, praktikat që ne instaluam për luftën kundër korrupsionit ishin praktikat më transparente, dhe çfarë ka mbetur nga ajo kohë janë të vetmet. Regjistrimi i biznesit me 1 euro. Ishte 4 mijë euro dhe një muaj kohë. Lincencat, i shtuan, i kthyen, por ne i reduktuam licencat nga 200 në 60. Vendosëm e-Albania. Vendosëm Kadastrën Digjitale. Vendosëm tranparencën absolute të shpenzimeve të Thesarit të Shtetit”, rikujtoi Berisha.

Më tej ai solli në vëmendje se PD përgjatë qeverisjes së vendit përjashtoi me ligj ministrat nga autoritetet kontraktore.

“Ne kemi gjithë trashëgiminë, por kemi gjithë forcën dhe vullnetin t’i rikthehemi në mënyrën më të fuqishme luftës së korrupsionit, vjedhjes së parave tuaja. Dhe t’ua kthejmë ato ju. Ne. Janë taksat tuaja. Ne do i kthejmë ato në rroga, ne do i kthejmë ato në pensione, ne do i kthejmë ato në shërbime, në shëndetësi, në arsim. Ne do i kthejmë në subvencione në bujqësi”, tha ai.

Pra, vijoi Berisha, “Pastrimi i Shtëpisë” është shtylla qendrore mbi të cilin bazohet programi ynë.

 

Fraksion.com

Social Media Auto Publish Powered By : XYZScripts.com