AktualitetTë fundit

Krimi kibernetik, procedohet penalisht 15-vjeçari

Një i mitur është vënë në hetim nga Policia e Vlorës pasi dyshohet se ka ndërhyrë në mënyrë të paautorizuar në sistemet kompjuterike të disa institucioneve shtetërore.

Policia njoftoi sot se “sektori i Hetimit në Drejtorinë Vendore të Policisë Vlorë, nën drejtimin e Prokurorisë pranë Gjykatës së Juridiksionit të Përgjithshëm Vlorë, dhe me mbështetjen e Drejtorisë së Hetimit të Krimeve Kibernetike në Departamentin e Policisë Kriminale në DPPSH dhe Shërbimit Informativ Shtetëror, Dega Vlorë, finalizuan me sukses operacionin policor të koduar “The Accountant””.

Sipas Policisë “ky operacion u zhvillua pas një hetimi intensiv njëmujor, të ndjekur me metoda speciale hetimi, në kuadër të goditjes së krimeve kibernetike”.

“Si rezultat i hetimeve, u dokumentua veprimtaria e kundërligjshme e një shtetasi të mitur 15 vjeç, banues në Vlorë, i cili dyshohet se gjatë muajit mars 2025 ka ndërhyrë në mënyrë të paautorizuar në të dhënat kompjuterike të disa institucioneve shtetërore (e-mail-e dhe faqe zyrtare), duke shkaktuar ndërprerjen e funksionimit të tyre për periudha të caktuara kohore”, njoftoi Policia.

Policia njoftoi se “nga hetimet e deritanishme nuk ka rezultuar vjedhje të të dhënave apo dokumenteve konfidenciale nga këto sisteme”.

“Gjatë operacionit u sekuestruan disa pajisje, të cilat do t’u nënshtrohen ekzaminimeve të thelluara teknike, konkretisht: 5 kompjuterë laptop, 6 aparate celularë dhe 1 dron”, njoftoi Policia.

Vijojnë hetimet për dokumentimin e plotë të kësaj veprimtarie.

 

Fraksion.com

Social Media Auto Publish Powered By : XYZScripts.com