AktualitetTë fundit

Homazhe për ikonën e kinematografisë shqiptare, “Artisten e Popullit” Margarita Xhepa

Homazhet për “Artisten e Popullit” dhe “Nderin e Kombit”, aktoren e mirënjohur Margarita Xhepa u mbajtën sot, në hollin e Teatrit Kombëtar të Operas dhe Baletit.

Personalitete të artit e kulturës, anëtarë të kabinetit qeveritar, deputetë dhe politikanë, por edhe qytetarë të shumtë që u frymëzuan dhe morën prej artit të saj, morë pjesë në ceremoninë e mbajtur për t’i dhënë lamtumirën e fundit, yllit të kinematografisë shqiptare.

Në fjalën e tij për mediet, Ndriçim Xhepa, vlerësoi mënyrën se si po respektohet sot nëna e tij e ndjerë nga njerëz të fushave të ndryshme, por edhe nga qytetarët e thjeshtë.
“Kjo është kënaqësia që marrin familjarët dhe shpirti i saj atje lart”, tha Ndriçim Xhepa.

Aktori i mirënjohur shtoi se, Margarita Xhepa e mbylli jetën në mënyrë normale, pavarësisht problemeve shëndetësore të dy muajve të fundit.

“Lodhjet e viteve bëjnë të vetën. Kishte një natyrë të çuditshme. Në disa biseda ajo thoshte se ndoshta në skenë nuk kam mundësi më të dal, ndërsa tek filmi e kishte ende një dëshirë se mund të bënte një tjetër rol”, u shpreh Ndriçim Xhepa.

Roli i fundit që bëri Margarita Xhepa ishte në filmin “Bolero në vilën e pleqve” dhe që përkoi me mbylljen e jetës së saj.

Mes shumë figurave publike, nga arti dhe politika për mediet ka folur dhe aktori i njohur Timo Flloko.

Flloko ka luajtur disa role me Margarita Xhepën dhe theksoi se ndan kujtime të rralla. “Kam një kujtim të rrallë me të, një skenë të Hamletit me nënën. E kam të filmuar dhe e kam si kujtim të rrallë”, tha Timo Flloko.

Aktorja Tinka Kurti foli shkurtimisht për media duke u shprehur se Xhepa ishte shoqe e mikeshë, e se ndjen dhimbje të madhe. “E kisha vajzë, shoqe, e kisha mikeshë. Nuk kemi se çfarë bëjmë, unë jam më e madhe se ajo. Duhet të hesht, kam dhimbje të madhe shumë”, tha Tinka Kurti për mediet.

Regjisori i njohur Mevlan Shanaj, i njohur për bashkëpunimin e tij me Margarita Xhepën, ka shprehur mirënjohje dhe nderim të thellë për figurën e saj.

“Margarita ishte një njeri që ka marrë vetëm dashuri nga të gjithë. Nuk ka njohur ndonjë fjalë të keqe, vetëm dashuri dhe respekt. Ajo ishte një aktore e jashtëzakonshme, një njeri i madh. Margarita ishte unikale, emri i saj është një sinonim i bukurisë dhe hijes, si një margaritar”, tha regjisori Shanaj.

“Margarita pati fatin ta jetojë jetën bukur edhe në aspektin njerëzor, edhe në aspektin profesional. Është simboli i bukurisë, i dashurisë dhe i mirësisë njerëzore. Krijoi imazhin perfekt të gruas në të gjitha dimensionet: si nënë, si grua, si motër, si kolege. Unë jam me fat që kam rrugëtuar bashkë me të edhe profesionalisht”, tha sot pas homazheve aktorja e teatrit dhe kinematografisë, Luiza Xhuvani.

Ministri i Kulturës, Blendi Gonxhja, ka shprehur ngushëllime për ikjen e artistes së madhe, duke theksuar rëndësinë e veprës së saj të paharruar për kulturën dhe artin shqiptar.

“Margarita Xhepa la një pasuri të jashtëzakonshme që do të mbetet në kujtesën e popullit shqiptar dhe e trashëguar përmes pasardhësve të saj, të cilët janë gjithashtu krenaria e kombit dhe artit tonë”, ka thënë ai.

Edhe kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha zhvilloi sot homazhet në nderim të aktores së mirënjohur “Artiste e Popullit” dhe “Nderi i Kombit”, Margarita Xhepa, e cila ndërroi jetë dje në moshën 91-vjeçare.

Pas homazheve në hollin e Teatrit Kombëtar të Operas dhe Baletit, ku shkroi edhe një mesazh në librin e ngushëllimeve, në një prononcim për mediet, Berisha shprehu “ngushëllimet më të thella, por edhe mirënjohjen e pakufishme për kontributin e jashtëzakonshëm të Margarita Xhepës në shtatë dekada, sa askush tjetër në skenën dhe filmin shqiptar”.

“Margarita Xhepa nuk është më, por do të mbetet përjetë e gjallë në memorien e atyre që ndoqën me aq admirim interpretimet e saj. Do të mbetet e gjallë në memorien e artit dhe kulturës shqiptare.”

Ikona e kinematografisë shqiptare, Margarita Xhepa, u nda nga jeta në orët e para të datës 3 prill, si pasojë e problemeve me mushkëritë. Ajo ishte 91 vjeç.

Me interpretimet e saj, Margarita Xhepa spikati në mishërimin e figurës së gruas dhe veçanërisht të nënës. Deri në vitet e fundit të jetës, Xhepa iu kushtua artit. Për vlerat e larta dhe arritjet në karrierën e saj artistike, Margarita Xhepa mbante titullin “Artiste e Popullit”. Gjithashtu ishte nderuar me dekoratën “Nder i Kombit” dhe me dekoratën “Gjergj Kastriot Skënderbeu”.

 

Fraksion.com

Social Media Auto Publish Powered By : XYZScripts.com