ITB Berlin 2025, Fiebig: Shqipëria, potencial i jashtëzakonshëm turistik
Në Panairin e Turizmit ITB Berlin 2025, ku Shqipëria është përzgjedhur si “Vendi i Nderit”, numri i turistëve, të ardhurat nga ky sektor dhe projeksionet për vitet e ardhshme morën një fokus të veçantë nga organizatorët dhe panelistët gjatë konferencës së sotme, në prag të hapjes së panairit.
Mitra Sorrells, zëvendëspresidente e kompanisë Phocuswright, u shpreh se “inteligjenca artificiale po ndikon në shumë aspekte në jetën tonë, ndërsa agjentët e turizmit po luajnë rol kyç edhe në këtë aspekt”.
“Prenotimet apo rezervimet bruto në botë, sipas të dhënave nga Global Travel Market, bileta ajrore, hoteli, paketat turistike, udhëtime me anije, hekurudhë parashikojnë rritje për vitet e ardhshme. Në 2027-ën ne parashikojmë që tregu do t’i afrohet dy trilionë dollarëve në rezervimet bruto, në aspektin rajonal këto janë vlerësimet e rritjes. Azia vijon të jetë në nivelet e para pandemisë, duke qenë se ka qenë rajoni i fundit që u hap pas COVID-it. Në vitet që vijnë pritet të shohim rritjen më të madhe në disa prej tregjeve në Lindjen e Mesme, Amerikën Latine dhe në Shqipëri dhe pak ngadalësim në disa tregje këtu në Evropë dhe Amerikën e Veriut.
Lindja e Mesme dhe Amerika Latine kanë përqindjen më të lartë të rezervimeve, që kryhen jo përmes internetit, por ka mundësi në të gjithë vendet e botës për të migruar në kanale dixhitale”, tha ajo.
Ndërsa, presidenti i Shoqatës Gjermane të Udhëtarëve, Norbert Fiebig u shpreh se “vitet e fundit udhëtimi mbetet në krye të përparësive të gjermanëve, edhe kur vjen puna te shpenzimet, pavarësisht sfidave gjeo-politike gjermanët kanë udhëtuar dhe po udhëtojnë shumë”.
“Mbështetur në anketime, të paktën ¼ e gjermanëve planifikojnë të shpenzojnë për udhëtime këtë vit, kësisoj pritshmëritë janë të larta. Kërkesa për paketa turistike është rritur për sezonin e ardhshëm veror. Ka një rritje të të ardhurave krahasuar me vitin e kaluar që e shohim në Egjipt dhe në Shqipëri. Urime dhe përgëzime mikpritësve të këtij viti të ITB-së sepse po tregojnë një rritje mbresëlënëse me 36%. Jam shumë entuziast për Shqipërinë dhe siç mund ta imagjinoni jo shumë kohë më parë pata privilegjin ta vizitoj Shqipërinë me një ekip të industrisë gjermane dhe përjetova personalisht potencialin e jashtëzakonshëm turistik dhe kam mjaft besim që ka ende për të parë”, theksoi Fiebig.
Fraksion.com

