AktualitetPolitikëTë fundit

Hoxha: Pasuritë e konfiskuara të krimit shndërrohen në përfitime reale për shoqërinë

Një tjetër pronë e konfiskuar, e një të dënuari nga drejtësia, shndërruar në ndërmarrje sociale.

Ministri i Brendshëm, Ervin Hoxha së bashku me ambasadorin e BE-së në Tiranë, Silvio Gonzato, kryetarin e bashkisë së Elbasanit, Gledian Llatja dhekryeadministratoren e Agjencisë së Administrimit të Pasurive të Sekuestruara dhe Konfiskuara, Risena Xhaja, panë nga afër sipërmarrjen “Tradita ime Artizanale” në Elbasan.

Në fokus të kësaj sipërmarrjeje është gjithashtu mbështetja e grave dhe vajzave në nevojë, duke ruajtur në anën tjetër traditën tonë me prodhime artizanale.

Ministri Hoxha theksoi se, përmes shembujve të tillë, përmbushet një nga qëllimet kryesore të ligjit mbi administrimin e pasurive të konfiskuara, që është rikthimi në komunitet i pasurive të fituara në mënyrë të jashtëligjshme.

Në këtë kuadër, vijoi ai, bashkëpunimi me institucionet e pushtetit vendor, si në këtë rast me Bashkinë e Elbasanit, e më parë edhe në Sarandë, Fier e Durrës, por edhe me bizneset, organizatat e shoqërisë civile, mediet, është me rëndësi të posaçme, edhe për arsyen e thjeshtë se produktet e këtyre grave dhe vajzat, pra qilimat e bukur e të veçantë që ato prodhojnë, duhet të gjejnë një treg, në mënyrë që sipërmarrje të tilla të jenë sa më e suksesshme.

Aksioni i përbashkët dërgon një mesazh të fuqishëm në luftën kundër veprimtarisë kriminale në Shqipëri: Pasuritë e konfiskuara, sado të mëdha apo të vogla, mund të përdoren për një kauzë të mirë shoqërore, shtoi ministri.

Hoxha theksoi se, “na duhet të sigurojmë që këto iniciativa të jenë të qëndrueshme në terma afatgjatë dhe të mbrohen nga kërcënimet, për të provuar se ligjshmëria mbizotëron dhe mosndëshkimi ka marrë fund”.

Ministri Hoxha theksoi se, do të zgjerohen më tej forma të tilla të bashkëpunimit, në mënyrë që çdo pasuri të shndërrohet në përfitime reale për shoqërinë.

 

Fraksion.com

Social Media Auto Publish Powered By : XYZScripts.com