Meta: Protestat, zëri i qytetarëve për vendosjen e normalitetit
Presidenti i Partisë së Lirisë, Ilir Meta përshëndeti në një konferencë për shtyp protestën e sotme para godinës së Parlamentit të organizuar nga grupimi i Rithemelimit të Partisë Demokratike.
Ai gjithashtu dënoi atë që e cilësoi si “dhunë shproporcionale të policisë ndaj protestuesve”.
“E përshëndes përzemërsisht protestën e sotme të opozitës para godinës së Parlamentit dhe dënoj me forcë dhunën kriminale, shporpocionale dhe të pajustifikuar të narkopolicisë ndaj qytetarëve, deri duke përdorur edhe lëndë kimike ndaj tyre”, tha Meta.
I pyetur për mungesën në protestën e sotme dhe nëse mendon se protestat kanë dështuar deri tani, Meta tha se, “absolutisht nuk mund të thuhet kurrë se protestat janë një dështim për opozitën, përkundrazi ato janë zëri i qytetarëve. Për të dhënë mesazhin e fortë të anomalitetit dhe të normalitetit që duhet rivendosur”.
Meta tha se mungesa e tij ishte për arsye se sapo ishte kthyer nga një vizitë në Berlin, për takime në Bundestag.
Për refuzimin e mocionit me debat të kërkuar nga opozita në Kuvend, Meta tha se, “Kryeministri Edi Rama prej kohësh nuk raporton në Kuvend për drogën dhe kriminalitetin, duke shkelur një detyrim kushtetues”.
“Ndërkohë që Kuvendi i Shqipërisë rrëzon me dhunë kërkesën e opozitës për mocion me debat për Edi Ramën lidhur me korrupsionin dhe krimin e organizuar, nga Italia fqinje vjen lajmi se në Parlamentin italian do të zhvillohet një interpelancë parlamentare mbi deklaratat e ish Zv/Kryeministrit Ahmetaj dhënë për RAI 3”, u shpreh Meta.
Fraksion.com

