AktualitetTë fundit

Skema mashtruese në emër të Ambasadës Amerikane në Tiranë, nën hetim drejtoresha e një qendre arsimore, zbardhen detajet

Pas hetimeve dhe bashkëpunim të stafit të Ambasadës Amerikane dhe Policisë, për zbulimin e personave pas skemës mashtruese që përdorte emrin e Ambasadës, është vënë nën hetim drejtoresha e një qendre arsimore, V. L.

Kjo qendër arsimore u merrte para qytetarëve, të cilëve u premtonte se do t’i çonte me studime në Amerikë, duke përfituar bursë, projekt për të cilin Ambasada në një deklaratë tha se nuk është pjesë e saj.

Pas arrestimit, policia ka ushtruar kontroll në banesën e shtetases V. L., zyrtare arsimore në nivel vendor, pjesë e Drejtorisë së Përgjithshme të Arsimit Parauniversitar në Ministrinë e Arsimit. Drejtoresha është nën hetim së bashku me një tjetër person me iniciale K. J., pasi dyshohet se në bashkëpunim me të tjerë kanë krijuar skemën, duke falsifikuar dokumente, për ofrimin e mundësive/bursave për studentët, për të studiuar në universitetet e SHBA-së, nëpërmjet projektit të njohur si “Let’s Talk Together About US24.”

Në një njoftim zyrtar më vonë, nga Policia e Shtetit, thuhet se Departamenti i Policisë Kriminale, në drejtimin e Prokurorisë së Tiranës, kryen hetime të përbashkëta me zyrtarë të zbatimit të ligjit të ambasadës së SHBA-së në Tiranë, për zbulimin dhe goditjen e kësaj skeme mashtrim.

Në një deklaratë të bërë nga Ambasada Amerikane, sqaronhet se: “Ambasada e SHBA është në dijeni të një të ashtuquajturi projekt të njohur si “Let’s Talk Together About US24.” Ky grup nuk ka asnjë lidhje me Ambasadën e SHBA, Departamentin e Shtetit të SHBA, Departamentin e Arsimit të SHBA, programet tona arsimore ose personelin e ambasadës. Shërbimi i Sigurisë Diplomatike i Departamentit të Shtetit të SHBA do të vazhdojë të punojë me Policinë e Shtetit teksa ajo heton përmasat e kësaj skeme mashtruese. U bëjmë thirrje të gjithë shqiptarëve të jenë të kujdesshëm ndaj mashtrimeve që garantojnë udhëtime falas në Shtetet e Bashkuara, si dhe viza amerikane pa pagesë ose me kosto të ulët. Gjithashtu, i bëjmë thirrje kujtdo që të kontaktojë Ambasadën e SHBA nëse dyshon se ndonjë person ose organizatë përpiqet të paraqesë veten në mënyrë të gënjeshtërt si të lidhur me ambasadën.”

Ndërkohë po vijojnë hetimet për të identifikuar dhe nxjerrë përpara përgjegjësisë penale, të gjithë shtetasit e përfshirë në këtë skemë mashtrimi.

 

Fraksion.com
Social Media Auto Publish Powered By : XYZScripts.com