Ambasada e SHBA denoncon skemën mashtruese me vizat amerikane, apelon për kujdes
Ambasada e Shteteve të Bashkuara të Amerikës u shpreh sot se ka një skemë mashtruese lidhur me vizat amerikane dhe u bëri thirrje qytetarëve shqiptarë të bëjnë kujdes.
“Ambasada e SHBA është në dijeni të një të ashtuquajturi projekt të njohur si “Let’s Talk Together About US24.” Ky grup nuk ka asnjë lidhje me Ambasadën e SHBA, Departamentin e Shtetit të SHBA, Departamentin e Arsimit të SHBA, programet tona arsimore ose personelin e ambasadës”, bën të ditur ambasada amerikane.
“Shërbimi i Sigurisë Diplomatike i Departamentit të Shtetit të SHBA do të vazhdojë të punojë me Policinë e Shtetit teksa ajo heton përmasat e kësaj skeme mashtruese”, thuhet në reagimin e ambasadës së SHBA.
Ambasada amerikane i bën thirrje të gjithë shqiptarëve të jenë të kujdesshëm ndaj mashtrimeve që garantojnë udhëtime falas në Shtetet e Bashkuara, si dhe viza amerikane pa pagesë ose me kosto të ulët.
“Gjithashtu, i bëjmë thirrje kujtdo që të kontaktojë Ambasadën e SHBA nëse dyshon se ndonjë person ose organizatë përpiqet të paraqesë veten në mënyrë të gënjeshtërt si të lidhur me ambasadën”, përfundon reagimi i ambasadës amerikane.
Fraksion.com

