AktualitetTë fundit

Konferenca e shefave të shtabeve të vendeve të Ballkanit, Kingji: Krijim i urave të komunikimit për stabilitetin rajonal

Shefi i Shtabit të Përgjithshëm të Forcave të Armatosura, Gjeneralmajor Arben Kingji përmes një deklarate shprehu sot vlerësimin për mbajtjen në Durrës të Konferencës së 17-të të Shefave të Shtabit të Përgjithshëm të vendeve të Ballkanit.

Kingji theksoi se konferenca është një mundësi e mirë për të diskutuar çështjet që lidhen me bashkëpunimin ushtarak rajonal, në funksion të paqes, sigurisë dhe prosperitetit në rajon e më gjerë.

“Me homologët dhe kolegët e mi të Forcave të Armatosura të vendeve të rajonit diskutuam mbi përpjekjet dhe arritjet e deritanishme, si dhe objektivat e përbashkëta për të promovuar forumin e SHSHP të vendeve të Ballkanit. Pjesëmarrja e te gjithe shefave të shtabit të iniciatives ishte kënaqesi dhe tregues i angazhimit të tyre për të shfrytëzuar mekanizmat ekzistuese në interes të rritjes së bashkëpunimit ushtarak”, tha Kingji.

“Stërvitjet dhe trajnimet e përbashkëta zënë një vend të rëndësishëm në axhendën e forumit, ku mirëkuptimi i ndërsjellë dhe toleranca janë elementë dallues dhe formues të kësaj iniciative. Mbi këto baza po punojmë me homologët e vendeve anëtare të iniciativës, për zgjerimin e fushave të bashkëpunimit”, u shpreh Kingji.

Shefi i Shtabit të FA, tha se, “qëllimi i përbashkët i kësaj iniciative është krijimi i urave të komunikimit, rritja e mirëkuptimit dhe ndërtimi i besimit reciprok në funksion të sigurisë dhe stabilitetit rajonal”.

“Kryesimi i forumit nga vendi ynë është parë si një mundësi e mirë për rritjen e këtyre qëllimeve dhe për kontributin për paqen, sigurinë dhe stabilitetin rajonal”, theksoi Kingji.

“Gjatë konferencës diskutuam mbi temën “Angazhimi i të rinjve në çështjet e sigurisë dhe mbrojtjes: Përfshirja e të rinjve në çështjet e mbrojtjes dhe sigurisë, për të nxitur inovacionin dhe adresuar sfidat e rekrutimit dhe mbajtjes së personelit ushtarak”.  Kjo temë është aktuale dhe përbën një sfidë për të gjitha vendet e rajonit. Gjatë konferencës Shefat e SHP ofruan inputet, mendimet, perspektivat dhe praktikat më të mira nga vendet dhe forcat e tyre të armatosura”, u shpreh Kingji.

“Gjatë kryesimit të kësaj iniciative nga Forcat e Armatosura të Republikës së Shqipërisë janë marrë të gjitha masat për zhvillimin me sukses të konferencës duke përfaqësuar me dinjitet dhe seriozitet vendin dhe FARSH.  Personeli i FARSH ka drejtuar dhe koordinuar takimet e grupit koordinator dhe nëngrupeve të punës. Produktet e këtyre përpjekjeve u miratuan sot nga Shefat e Shtabeve të vendeve të Ballkanit”, theksoi Kingji.

 

Fraksion.com

Social Media Auto Publish Powered By : XYZScripts.com