AktualitetBota+Të fundit

Britania sanksionon grupe dhe individë izraelitë për dhunën në Bregun Perëndimor

Britania e Madhe ka vendosur sanksione të premten ndaj dy grupeve “ekstremiste” dhe kundër katër individëve në Izrael, të cilët i fajëson për dhunë në Bregun e uzurpuar Perëndimor.

Kjo është pakoja më e re e masave britanike kundër kolonëve izraelitë.

Ministria e Jashtme e Britanisë tha se grupet Hilltop Youth dhe Lehava e kanë mbështetur, nxitur dhe promovuar dhunën kundër komuniteteve palestineze në Bregun Perëndimor.

Katër individët e sanksionuar janë përgjegjës për shkelje të të drejtave të njeriut kundër këtyre komuniteteve, sipas Ministrisë britanike.

Në mesin e tyre janë Noam Federman, i cili i ka stërvitur grupet e kolonëve për kryerjen e dhunës, dhe Elisha Yered, i cili e ka arsyetuar vrasjen e palestinezëve për arsye fetare.

Dhuna në Bregun Perëndimor ka qenë duke u rritur edhe para se Izraeli ta niste luftën në Rripin e Gazës, e cila u nxit nga një sulm në jug të Izraelit më 7 tetor prej Hamasit – grupit të shpallur organizatë terroriste nga Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimi Evropian.

Por, dhuna është përshkallëzuar prej atëherë, për shkak të rritjes së sulmeve të ushtrisë izraelite, dhunës së kolonëve dhe sulmeve palestineze nëpër rrugë.

Ministri i Jashtëm britanik, David Cameron, tha se kolonët ekstremistë janë duke e minuar sigurinë dhe stabilitetin, si dhe janë kërcënim për shpresat për paqe.

“Autoritetet izraelite duhet patjetër t’i mbajë përgjegjës ata. Britania e Madhe nuk do të ngurrojë të ndërmarrë veprime të mëtejshme, nëse është e nevojshme, përfshirë duk vendosur sanksione shtesë”, shtoi ai.

Të sanksionuarit përballen me kufizime financiare dhe në udhëtim. Në shkurt, Britania vendosi sanksione kundër katër shtetasve izraelitë./REL

 

Fraksion.com