AktualitetBota+Të fundit

Keqpërdorimi i termit “riemigrim” nga ekstremistët

Fjala e keqe e vitit 2023 është “riemigrim”. Ekstremistët e krahut të djathtë e kanë nxjerrë termin nga konteksti.

Fjala më e keqe e vitit 2023 në Gjermani është në fakt një term i qetë shkencor: ekspertët e shkencave sociale e kuptojnë “riemigrimin” si fenomenin kur njerëzit kthehen në vendin e tyre të origjinës pas një periudhe jete jashtë vendit. Kjo mund të ndodhë si përgjigje ndaj një ndryshimi në kushtet politike lokale, për shembull kur një luftë përfundon ose një regjim zëvendësohet me një tjetër më demokratik. Por riemigrimimund të jetë edhe një proces me detyrim, pra rezultat i largimit ose dëbimit.

Çfarë definitivisht nuk do të thotë në përdorimin e tij origjinal është një proces i kontrolluar nga shteti në të cilin individët largohen nga mjedisi i tyre i zakonshëm kundër vullnetit të tyre, me qëllim që të dëbohen jashtë vendit, ndoshta me dhunë. Pikërisht këtë synojnë ekstremistët e djathtë, të cilët debatuan fshehurazi për plane të tilla në nëntor.

Në takimin në Potsdam, të zbuluar nga rrjeti kërkimor Correctiv javën e kaluar, morën pjesë, ndër të tjera, përfaqësues të AfD-së, të cilën Enti Gjerman  për Mbrojtjen e Kushtetutës e ka cilësuar pjesërisht si ekstremiste të djathtë. Kjo parti po përjeton aktualisht një rritje në sondazhe – në disa lande është bërë madje edhe forca më e madhe politike.

“Riemigrimi” fjala më e keqe e vitit 2023

Ekstremistët e krahut të djathtë po nxjerrin nga konteksti një term shkencor dikur serioz dhe po e përvetësojnë atë për qëllimet e tyre politike – kjo është ajo që theksojnë ekspertët për përzgjedhjen e fjalës më të keqe të vitit.

Pasi u zgjodh si fjala më e keqe e vitit, ky mashtrim nuk do të jetë më aq i lehtë të zbatohet, shpreson ish-sekretari i përgjithshëm i CDU-së konservatore, Ruprecht Polenz, i cili sivjet ishte anëtar nderi i jurisë. “Termi i padëmshëm riemigrim përdoret nga nacionalistët e AfD-së dhe Lëvizjes Identitare për të maskuar qëllimet e tyre të vërteta – dëbimin e të gjithë njerëzve me ngjyrë apo origjinë të ndryshme, madje edhe të atyre që janë shtetas gjermanë”, shpjegoi Polenz.

Politikanë të AfD-së biseduan me lëvizjen Indetitare për një masterplan për dëbimin e të huajve në Potsdam, në pamje ndërtesa ku biseduan ekstremistët e djathtë
Politikanë të AfD-së biseduan me lëvizjen Indetitare për një masterplan për dëbimin e të huajve në PotsdamFotografi: Jens Kalaene/dpa/picture alliance

AfD përdor kaherë këtë fjalë

Që nga zbulimet e Correctiv-it, në Gjermani është hapur një debat i gjerë për takimin e fshehtë – e rrjedhimisht edhe për termin riemigrim. Ekstremistët e krahut të djathtë e kanë përdorur këtë në fjalorin e tyre për një kohë të gjatë: “Që nga viti 2016, grupet e krahut të djathtë janë përpjekur të përvetësojnë ideologjikisht dhe të riinterpretojnë termin që vjen nga hulumtimet e migracionit,” citoi Agjencia Katolike e Lajmeve të thoshte zëdhënësja e jurisë Constanze Spieß. Termi mund të gjendet edhe në debatet e Bundestagut gjatë gjithë vitit.

Deputeti i AfD Roger Beckamp tha në 5 shtator në një debat për tregun e tensionuar të qirave: “Një politikë e suksesshme strehimi për vendin tonë do të thotë riemigrim milionësh”. Kjo është “teknikisht e mundur” dhe “moralisht e nevojshme”. Ju mund ta shihni atë ndryshe, “por atëherë ju jeni thjesht antikombëtarë,” u tha Beckamp parlamentarëve nga grupet e tjera parlamentare.

Në Gjermani, sipas shifrave nga Zyra Federale e Administratës, thuajse 280.000 njerëz do të duhej të largoheshin nga vendi në mesin e vitit 2023, ku shumica e tyre kishin një status tolerimi (duldung) – pra një certifikatë që shtyn dëbimin. Ndërsa 54.330 persona do të duhej të largoheshin, sespe nuk kanë as duldung.

Këto shifra e bëjnë të qartë se cila ishte edhe tema e takimit të Potsdamit: Kushdo që bën thirrje për “miliona riemigrim” nënkupton dëbimin e njerëzve që kanë të drejtë qëndrimi përgjithmonë në Gjermani sipas ligjit aktual.

Sipas Correctiv, në Potsdam është debatuar edhe për mënyrën e dëbimit të qytetarëve me shtetësi gjermane nga vendi. Kjo do të ishte shkelje e nenit 3 të ligjit Kushtetutës, i cili thotë: “Askush nuk mund të jetë i pafavorizuar ose i favorizuar për shkak të gjinisë, prejardhjes, racës, gjuhës, atdheut dhe origjinës, besimit, pikëpamjeve fetare ose politike”.

Ruprecht PolenzFotografi: picture-alliance/dpa

Ekseprtët paralajmërojnë

Prandaj, ekspertët paralajmërojnë se fjala riemigrim synon të banalizojë synimet e ekstremistëve të djathtë. Shërbimi Ungjillor i Shtypit citon studiuesen e ekstremizmit, Alice Blum: “Termi, i cili fillimisht tingëllon i qetë, përdoret për të ndjekur një politikë të caktuar.” Kushdo që përdor termin në dukje të padëmshëm ose e përhap atë në mënyrë jokritike në raportim, i fsheh kërkesat e dhunshme dhe shumë kërcënuese të së Djathtës së Re që lidhen me të.

Sociologu Matthias Quent ka shkruar në një artikull për gazetën “Frankfurter Allgemeine Sonntagszeitung”: “Këto synime kriminale nuk janë të reja, por paturpësia me të cilën përfaqësohen, mbrohen dhe relativizohen publikisht planet e riemigrimit, edhe pas zbulimeve, të bën të dridhesh. ”

Nga këndvështrimi i tij, koncepti i AfD-së i riemigrimit mund të shihet si një synim për të kryer “krime shtetërore me motive racore”. Quent e shkruan këtë duke përdorur një formulim që vjen nga një raport në procesin e ndalimit të partisë ekstremiste të djathtë NPD, e cila ka qenë aktive në Gjermani prej kohësh. Procesi dështoi në 2017: Gjykata Kushtetuese Federale zbuloi se ajo kishte ndjenja antikushtetuese, por nuk kishte dëshmi të mjaftueshme për të ndaluar një parti.

Një makinë me parullat e AfD - Ne jemi populli
AfD angazhohet për riemigrimin, por kjo fjalë nxirret nga konteksti…Fotografi: Martin Schutt/picture alliance/dpa

“Remigrimi” të kujton fjalën e parë të keqe të vitit

Raporti për takimin e fshehtë ka ndezur një debat për ndalimin e AfD-së. Në të njëjtën kohë, ka demonstrata për një shoqëri të hapur dhe rendin themelor të lirisë dhe demokracisë. Këto synime kanë qenë gjithashtu baza e Fjalës së keqe të vitit që në fillimet e saj: Shoqata për gjuhën gjermane përmendi ​​për herë të parë një fjalë kaq të keqe në vitin 1991 pasi neo-nazistët në qytetin gjermano-lindor të Hoyerswerda sulmuan fizikisht njerëzit që i perceptonin si jo-gjermanë. Fjala e keqe e vitit 1991 përfshiu konceptin e tyre luftarak se mjedisi i tyre duhet të bëhet “pa të huaj”./DW

 

Fraksion.com