AktualitetTë fundit

Arrestimi i Dritan Rexhepit, Manja: I dërgojmë dosjen për ekstradim autoriteteve turke

Prokuroria e Posaçme ka përgatitur dosjen me të cilën do të kërkohet ekstradimi i Dritan Rexhepit nga Turqia, pas arrestimit më 8 nëntor. Materiali i ka kaluar Ministrisë së Drejtësisë dhe në një prononcim për gazetarët, Manja tha se dokumentacioni është i plotë dhe do t’u dërgohet autoriteteve turke.

“Ministria e drejtësisë në rastin konkret bën vetëm ndërmjetësin ndërmjet dy autoriteteve tona. Dokumentacioni që ka mbërritur në ministri është i plotë dhe shumë shpejt do ua nisim autoriteteve turke”, tha Manja.

Pjesë e dosjes do të jenë të gjitha vendimet në ngarkim të Dritan Rexhepit, të dhëna nga gjykatat shqiptare, dënimi për vrasjen e 2 policëve Arben Keqi dhe Durim Kasmi në vitin 1998, bashkëngjitur provat konkrete edhe për porositjen e rrëmbimit dhe zhdukjes së Jan Prengës me porosi të bosit të kokainës nga burgu ku ndodhej në Ekuador. Në garë me Shqipërinë për ta ekstraduar “mbretin e arratisjeve” është edhe Italia, e cila ndihmoi autoritetet turke në gjurmimin e Rexhepit dhe më pas në arrestimin e tij në një vilë në periferi të Stambollit.

 

Fraksion.com