Arrestohet Vangjush Dako! SPAK urdhër arreste edhe për 9 ish-zyrtarë të bashkisë së Durrësit!
Vangjush Dako, ish kryebashkiaku i Durrësit është arrestuar sot me urdhër të SPAK së bashku me 9 ish zyrtarë të bashkisë së Durrësit.
Mësohet se SPAK ka firmosur 10 urdhërarreste në lidhje me një dosje që ka të bëjë me një leje ndërtimi për një pallat pa leje dhënë gati 11 – 12 vite më parë dhe që është dëmtuar nga tërmeti i 2019. Report TV mëson se Dako akuzohet edhe për një tender konsulence të vitit 2014 – 2015 që i ka shkaktuar buxhetit të shtetit një dëm prej 18 milionë lekësh.
Ndërkohë Petrit Ismaili, avokati i Dakos e cilësoi si të panevojshëm arrestin me burg për ish kryebashkiakun e Durrësit. Ai zbuloi se ndaj Vangjush Dakos rëndon akuza për shpërdorim detyre në 2 raste. Njëri prej rasteve është kallëzuar nga banorët e një pallati në Durrës në 2020-ën. Ndërsa rasti i dytë për të cilin akuzohet Dako është kallëzimi i Ferdinand Xhaferrajt në prang të zgjedhjeve të vitit 2021.
Mes të tjerash, Ismaili tha se për arresëtimin e Dakos SPAK po përballet me një trysni nga ana e mediave dhe e ndërkombëtarëve.
“SPAK nuk po mban dot ekuilibër nën trysninë mediatike dhe të politikës dhe të ndërkombëtarëve. Në këtë trysni po merr masa të nxituara. Gjykoj se nuk ka qenë e nevojshme masa e arrestit me burg. Nuk ka shkuar policia në banesën e Dakos, ai ishte në Tiranë. Jemi në kushtet e vetëdorëzimit. Bëhet fjalë për vendime kolegjiale jo vendime vetëm të Dakos. Unë di se bëhet fjalë për një pallat me leje ndërtimi të rregullt të dhënë nga bashkia.”- tha Ismaili.
Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar ka lëshuar 10 urdhër arreste të cilat janë firmosur nga gjyqtari i GJKKO Erjon Bani. Për 7 prej tyre është firmosur masa e sigurisë ‘arrest me burg”, ndërsa për 3 prej tyre, që janë gra, është dhënë masa e sigurisë ‘arrest shtëpie”.
Janë firmosur urdhërarrestet për:
Vangjush Dako, ish kryebashkiaku
Adlei Likmeta, arkitekt i bashkisë
Roza Kovaçi
Edlira Kertusha, juriste tek Urbanistika
Adnand Tocila
Adhurim Qehajaj ish drejtori i Urbanistikës
Fiqiri Farruku, ndërtuesi i pallatit.
Hetimi nisi një vit më parë
Mësohet see hetimi për shkeljet ka nisur rreth 1 vit më parë dhe Vangjush Dako është thirrur në SPAK në mars 2023 lidhur me këtë dosje. Ndërsa ditët e fundit janë marrë në pyetje edhe zyrtarë dhe ish zyrtarë të bashkisë së Durrësit.
Ndaj tyre rëndojnë akuzat për shpërdorim detyre, falsifikim dokumentesh dhe korrupsion. Gjatë ditës së sotme, SPAK ka ekzekutuar urdhër arrestin për Vangjush Dakon dhe një ish zyrtar tjetër ndërkohë operacioni është ende në vijim, për ekzekutimin e urdhër arresteve të tjera.
Në korrik të 2019 Departamenti Amerikan i Shtetit shpalli non grata Vangjush Dakon. Gjithashtu DASH i ndaloi hyrjen në Shtetet e Bashkuara të ish-kryetarit të Bashkisë së Durrësit dhe anëtarëve të familjes së tij. Dako ka drejtuar bashkinë e Durrësit në vitet 2007-2019.
Fraksion.com

