Kurti për deklaratën e Blinkenit: E padrejtë, e gabuar dhe shumë naive
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, i ka thënë të martën të përditshmes britanike Guardian se, dita e hënë ka qenë shumë e rëndë, dhe se “jemi me fat që nuk është humbur asnjë jetë”.
Ai u është referuar përleshjeve në mes të pjesëtarëve të misionit të NATO-s në Kosovë, KFOR, me protestuesit serbë në Zveçan, të cilët e kanë kundërshtuar hyrjen e kryetarëve të rinj shqiptar në komunat e banuara me shumicë serbe – Zveçan, Leposaviq dhe Zubin Potok – nëpër ndërtesat komunale.
Kurti i ka fajësuar për dhunën në veri, ato që i ka quajtur “banda fashiste” të udhëhequra nga Qeveria e Serbisë.
Dhuna është dënuar nga NATO-ja dhe faktori ndërkombëtar, derisa Shtetet e Bashkuara i kanë kërkuar Qeverisë së Kosovës që të marrë hapa në uljen e tensioneve në veri.
Të premten, Sekretari amerikan i Shtetit, Antony Blinken, ka thënë se vendimi i Qeverisë së Kosovës, për të hyrë me forcat në ndërtesat komunale në veri, është marrë “kundër këshillës” së Shteteve të Bashkuara dhe partnerëve evropianë, dhe i cili “i ka përshkallëzuar pa nevojë tensionet”.
Kurti është shprehur i pakënaqur me këtë deklaratë.
“Mendoj se, jo vetëm që është e padrejtë dhe e gabuar e edhe lënduese, por në të njëjtën kohë është shumë naive”, ka thënë Kurti për Guardian, në një intervistë përmes telefonit.
“Ndoshta Sekretari Blinken do ta sqarojë këtë gjë më shumë një ditë, por definitivisht nuk ka qenë e dobishme”.
Prej asaj deklarate, Kurti ka thënë se ka folur me të dërguarin amerikan për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar.
Ai ka thënë se Escobar u ka kërkuar autoriteteve të Kosovës që t’i dërgojnë kryetarët në objekte tjera, apo edhe të punojnë prej shtëpisë – kërkesë që ai e ka refuzuar.
“Nuk mund të kemi kryetarë me Zoom (platformë online për takime), ne jemi republikë demokratike. Një republikë demokratike, nuk mund t’i dorëzohet milicisë fashiste”, ka shtuar ai.
Ambasadori amerikan në Kosovë, Jeffrey Hovenier, ka thënë të martën, në një bashkëbisedim me gazetarë se, Qeveria e Kosovës nuk është koordinuar me Shtetet e Bashkuara për veprimet e ndërmarra në veri dhe, për këtë arsye, ka pësuar pasojën e parë: “stërvitjet Defender Europe 2023 kanë marrë fund” për të./REL
Fraksion.com