AktualitetPolitikëRajoniTë fundit

Scholz: Mbështetje Ballkanit Perëndimor në energjetikë dhe siguri

Kancelari i Gjermanisë Olaf Scholz deklaroi sot se BE do ta mbështesë Ballkanin Perëndimor dhe do të financojë 1 miliard euro për energjinë.

Në konferencën e përbashkët për shtyp në Berlin, ku i pranishëm ishte kryeministri Edi Rama dhe presidentja e Komisionit Europian, Ursula von der Leyen, Scholz përshëndeti përpjekjet e vendeve të Ballkanit Perëndimor për t’iu bashkuar BE-së.

Ai tha se në takimin për Procesin e Berlinit, vendet e Ballkanit Perëndimor kanë firmosur marrëveshje të rëndësishme, që do të përmirësojnë jetën në rajon.

“Dua të përgëzoj vendet e Ballkanit Perëndimor për përpjekjet serioze për t’iu afruar sa më parë Bashkimit Evropian dhe gjithashtu për të gjetur mënyrën për të ecur përpara. Këto tri marrëveshje do të bëjnë të mundur për qytetarët e rajonit të kalojnë kufirin duke përdorur kartat e tyre të identitetit, gjithashtu dhe të ketë një njohje të ndërsjellë të diplomave universitare dhe kualifikimeve profesionale. Në terma mjaft konkrete të përmirësojnë jetën e individëve në rajon dhe e bëjnë më bashkë rajonin”, tha ai.

Sa i përket energjisë, Scholz tha se “një marrëveshje e rëndësishme është nënshkruar midis vendeve të Ballkanit Perëndimor që të punojnë më ngushtë në fushën e energjetikës dhe sigurisë gjithashtu, për masat e mbrojtjes së klimës, në mënyrë që të arrihet objektivi i 2030-ës”.

Scholz theksoi se “ne dhe pjesëmarrësit e tjerë të Procesit të Berlinit do të vazhdojmë të mbështesim anëtarët e Ballkanit Perëndimor në afat të mesëm e të gjatë, gjithashtu t’i ndihmojmë në fushën e energjetikës dhe të përqendrohemi tek energjia e ripërtëritshme. Gjermania do të përqendrohet në këtë ndihmë përmes bankës së saj KfW me hua deri në 200 milionë euro dhe në periudhën afatmesme gjithashtu për të ngushtuar tranzicionin, energjinë e gjelbër deri në 1 miliard euro”.

Ai theksoi se për këtë duhet të punojnë të gjithë së bashku.

“Samiti ka treguar se ka vullnet për të bashkëpunuar, kështu Gjermania do ta mbështesë këtë proces në të ardhmen. Edhe BE e mbështet këtë proces, sidomos Komisioni Evropian e mbështet këtë”, tha Scholz.

 

Fraksion.com