Pritshmëritë e Berlinit dhe Brukselit nga ndryshimi në Serbi
Qeveria gjermane vlerëson suksesin e Listës Studentore në zgjedhjet në Serbi dhe thekson vazhdimin e mbështetjes në rrugën europiane. Komisionerja për Zgjerimin rikonfirmon vullnetin që Serbia të bëhet vend anëtar i BEsë
Lista Studentore, platforma politike e krijuar nga studentët në Serbi, sfidoi bindshëm në zgjedhjet e parakohshme partinë në pushtet të presidentit Aleksandar Vuçiq.Lista Studentore mund të krijojë tani e vetm qeverinë e re në Serbi. Ndryshimi i pushtetit në Serbi u prit me vlerësime në Berlin e po ashtu edhe në Bruksel.
Kancelari federal Friedrich Merz vlerësoi suksesin e Listës Studentore duke theksuar, se: “Me kërkesat e saj për shtetin e së drejtës, luftën kundër korrupsionit dhe liritë themelore, ajo arriti të fitojë mbështetjen e qytetarëve”, thuhet në një deklaratë të politikanit të CDU-së në platformën X. Në të njëjtën kohë, ai siguroi se do të vazhdojë të mbështesë rrugën evropiane të Serbisë.
Zëdhënësi i qeverisë, Sebastian Hille, e përmblodhi situatën kështu: “Pritshmëritë ndaj listës studentore, si brenda ashtu edhe jashtë vendit, janë tashmë të mëdha.”
Serbia një partner jo i lehtë për Brukselin
Serbia ka gati 15 vjet që është vend kandidat për anëtarësim në BE, por kursi i ndjekur së fundmi nga udhëheqja e deritanishme serbe ka bërë që procesi të mbetet kryesisht në vendnumëro. Sipas ekspertëve edhe qeveritarët e rinj nuk do të jenë një partner i lehtë për Brukselin. Një pjesë e konsiderueshme e elektoratit në Serbi vazhdon të mbetet skeptike ndaj BE-së.
Komisionerja e BE-së për Zgjerimin, Marta Kos, rikonfirmoi vullnetin që Serbia të bëhet anëtare e Bashkimit Evropian dhe deklaroi se tani ekziston „mundësia për më shumë unitet dhe kohezion shoqëror në vend”. Sipas saj, i takon qeverisë së ardhshme „të punojë për një orientim strategjik drejt BE-së”.
Presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, deklaroi se BE-ja është e gatshme ta mbështesë Serbinë në reformat në fushat e shtetit të së drejtës, lirisë së medias, luftës kundër korrupsionit dhe forcimit të institucioneve demokratike, si dhe „të punojë së bashku për të çuar përpara të ardhmen e Serbisë në Bashkimin Evropian”./DW
Fraksiin.com

