AktualitetPolitikëRajoniTë fundit

Rama: Procesi i Berlinit bashkoi rajonin, të zgjidhet sa më shpejt lëvizja e lirë e qytetarëve të Kosovës

Kryeministri Edi Rama e konsideroi sot nga Berlini, një lajm të shkëlqyer nënshkrimin e tri marrëveshjeve në kuadër të Ballkanit Perëndimor, ndërsa e vuri theksin edhe tek lëvizja pa viza për qytetarët e Kosovës.

Në një konferencë të përbashkët për mediet me kancelarin federal të Gjermanisë, Olaf Scholz dhe presidenten e Komisionit Europian, Ursula von der Leyen, kryeministri Rama theksoi se “është shumë e rëndësishme ajo çka nënshkruam sot, nuk mund të mos theksoj se këto marrëveshje ishin tri marrëveshje që i prisnim prej 2-3 vitesh. Kancelari dhe ekipi i tij punuan shumë fort me njerëzit tanë që të bindin gjithkënd që t’i nënshkruajmë”.

“Të gjithë nga rajoni ishin shumë të kënaqur që ishin në Berlin 8 vjet pasi nisi Procesi i Berlinit, pikërisht në këtë ndërtesë. Më duhet të them se Angela Merkel pati të drejtë, sepse në qoftë se sot kemi një rajon të bashkuar në një moment mjaft të ndërlikuar të historisë për të gjithë Europën dhe komunitetin euroatlantik, sekreti publik është Procesi i Berlinit. Kur u mblodhëm për herë të parë nuk ishim takuar me njëri-tjetrin për shekuj, ndërsa tani kjo është ajo çfarë duam të bëjmë”.

“Dua të falënderoj nga zemra kancelarin Shcoltz për angazhimin, mikpritjen e shkëlqyer, për bukën e shkëlqyer gjermane dhe së fundi në radhë, por jo nga rëndësia, që i besoi Shqipërisë dhe mua të mirëpresim samitin e ardhshëm të Procesit të Berlinit në vendin tonë të mrekullueshëm”, tha Rama.

Shpresoj fort, vijoi Rama, që ajo që u diskutua sot dhe u shënua me kujdes në shënimin e Kancelarit do të shohë ecurinë në samitin tjetër në Tiranë duke nisur nga kriza energjetike, ku ne e ndiejmë që nuk jemi lënë mënjanë, se nuk jemi të vetëm, sepse vetëm disa ditë më parë presidentja e Komisionit Europian, Ursula von der Leyen zhvilloi një turne në Ballkan.

“Nuk solli me vete vetëm fjalë të bukura solidariteti, por edhe një mbështetje shumë të rëndësishme financiare për ta filluar. Natyrisht, nuk është e fundit”, shtoi Rama.

Kreu i qeverisë u shpreh se “po shohim ecuri në pjesën e ndërlidhjes, dhe ashtu siç e theksoi Kancelari shumë shumë qartë, kjo nuk lidhet me ndërlidhjen e infrastrukturës dhe rrugëve tonë në vendin tonë, por ka lidhje me ndërlidhjen e rajonit me Europën dhe Europës me rajonin”.

“Shpresoj të shohim ecuri në sferën digjitale, se këto ishin tri shtyllat kryesore të Procesit të Berlinit që ditën e parë kur nisi”, tha Rama.

Kryeministri Rama u shpreh se “sot po përballemi me aspektin e sigurisë kibernetike dhe sot duam t’i shohim gjërat të ecin në drejtimin e duhur për të rinjtë tanë. Ne e kemi ngritur sërish çështjen se si të integrohemi sa më shpejt të jetë e mundur me sistemin e arsimit të lartë europian për universitetet tona. Po kështu, për mënyrën se si mund të kemi një prani më të madhe nga Gjermania dhe vende të tjera të zhvilluara të BE-së përmes sektorit të tyre privat dhe jo vetëm përmes financimit publik”, tha Rama.

Kryeministri Rama e vuri theksin edhe te lëvizja e lirë e qytetarëve të Kosovës.

“Sigurisht, tingëllon pak e çuditshme apo paksa mënjanuese për popullin e Kosovës që ndërkohë që ata bënë një marrëveshje me kartat e identitetit për të lëvizur lirisht, ata nuk mund të lëvizin lirisht në rajon si të tjerët, kur vjen fjala që ata të lëvizin në BE. Presim me padurim që kjo të zgjidhet sa më shpejt të jetë e mundur”, tha Rama.

Fraksion.com