AktualitetEkonomiPolitikëTë fundit

Skemat e mashtrimit me TVSH-në, Ibrahimaj: Referuam në Prokurori 34 raste me 144 kompani

Ministrja e Financave dhe Ekonomisë, Delina Ibrahimaj, sërish nga foltorja e Kuvendit iu përgjigj akuzave të opozitës për skemat e mashtrimit me TVSH-në.

Ibrahimaj, duke repikuar me deputetin e PD-së Agron Shehaj, tha se fenomeni ka filluar të shfaqet në vitin 2017 dhe që prej asaj kohe administrata tatimore ka referuar në Prokurori 34 raste që përfshinin 144 kompani.

“Unë e kuptoj që juve dilni këtu, doni të bëni politikë mbi procedura administrative të kryera me korrektësi nga të gjithë institucionet shtetërore. Doni të bëni dhe administratën, doni të bëni dhe hetuesin, doni të bëni dhe prokurorin, doni të bëni dhe gjykatësin. Doni të bëni vetë drejtësi. Ne besojmë te shteti, ne besojmë te ligjet, te zbatimi i rregulloreve dhe te drejtësia. Skema për të cilën unë u ndjeva e detyruar të dal të flas dje është një skemë e cila është zbuluar nga Administrata Tatimore. Është një skemë e cila, siç e thashë edhe dje, përfshin mbi 500 subjekte dhe jo 2-3-4 subjekte që ju përmendi këtu. Është një skemë e cila është referuar në prokurori nga Administrata Tatimore dhe është ndjekur me përpikmëri nga po ajo administratë, me qëllim t’i shkohet deri në fund. Por, nuk është roli i Administratës Tatimore të çojë hetimin deri në fund apo të nxjerrë vendime të gjykatës. Është roli i institucioneve të drejtësisë. Kjo qeveri e ka bërë shumë të qartë që në të gjitha rastet respekton institucionet e drejtësisë dhe respekton vendimet e tyre, pa shkelur ligjin”, deklaroi Ibrahimaj.

Ministrja siguroi se institucionet kanë bërë punën e tyre.

“Mund të dalim dhe të flasim këtu e të bëjmë politikë dhe të ngremë tymnaja, siç po bëhet prej disa ditësh, por dua t’ju siguroj me përgjegjësi të plotë se institucionet shtetërore kanë bërë punën e tyre, kanë zbuluar këto skema, brenda kornizës së punës së tyre. Kanë zbuluar skema që nuk janë dukuri shqiptare. Janë skema që njihen në të gjitha institucione të tilla në vende të tjera të botës. Ju keni jetuar në Itali dhe e dini shumë mirë që edhe Italia ka qenë subjekt i evazionit fiskal dhe i fshehjes së të ardhurave, për hir të këtyre skemave dhe ne po bëjmë punën tonë. Ne kemi ndërtuar sisteme për parandalimin e këtyre skemave”, shtoi ajo.

Më tej, Ibrahimaj foli për Fiskalizimin.

“Kam dëgjuar shumë herë në këtë sallë Kuvendi të flitet për Fiskalizimin dhe dëmin që po i bëjmë bizneseve me fiskalizimin. Është pikërisht reforma e Fiskalizimit që do e bëjë Administratën Tatimore të aftë që këto skema të zbulohen në kohë, të parandalohen në kohë dhe të mos lejohet abuzimi në kohë. Por, kurrsesi Administrata Tatimore nuk është përgjegjëse për vendimet e gjykatës, nuk është përgjegjëse për t’i çuar deri në fund proceset. Është përgjegjëse për t’i çuar në prokurori, është përgjegjëse për t’iu përgjigjur kërkesave të prokurorisë. Për çdo rast që do të ketë një vendim gjykate, siç ka pasur edhe në të kaluarën, të gjitha institucionet shtetërore do të jenë aty gati që t’i zbatojnë ato”, tha ajo.

 

Fraksion.com

Social Media Auto Publish Powered By : XYZScripts.com