AktualitetPolitikëTë fundit

Këlliçi-qytetarëve: Bashkohuni me protestën për një Shqipëri më të mirë

Deputeti dhe kryetari i Forumit Rinor të PD, Belind Këlliçi ftoi sot me anë të një deklarate nga selia e PD qytetarët e Tiranës që t’i bashkohen protestës së sotme.

“Si pasardhës i një familje autoktone tironse, se dhe si djalë i lindur dhe rritur në këtë qytet, kam një thirrje për bashkëqytetarët e mi, në emrin tim dhe të Partisë Demokratike. Bashkohuni me protestën, me zërin e shqiptarëve nga të katër anët e vendit, për një Tiranë dhe Shqipëri më të mirë”, tha Këlliçi.

“Tirana gjithmonë ka ditur të bëjë zgjedhjen e saj, dhe u ka dhënë zgjidhje ngjarjeve në historinë e vendit. Kujtoni dhjetorin 1990, kur punëtorët dhe inteligjencia e kryeqytetit u bënë bashkë me studentët e rretheve dhe rininë e bordurave”, u shpreh Këlliçi.

“Historia e thërret sërish Tiranën të jetë në krye të punëve të Shqipërisë. Toleranca e saj nuk mund të merret për dobësi, qytetaria nuk duhet nënvlerësuar”, tha Këlliçi.

“Tiransit duhet të dalin sot për inceneratorin që ka djegur miliona, por nuk nxjerr fije tymi. Për koshat me ngjyra ambientaliste, që nuk e kanë zgjidhur problemin e mbeturinave dhe metodat e vjetra të korrupsionit bashkiak. Për trafikun që zgjatet çdo ditë dhe shkurton orët që do donit të kalonit me familjen. Për qytetin e tyre, që dikur kishte kullën e Sahatit dhe sot ka një kullë me orë muri”, u shpreh Këlliçi.

“Nuk u bëj apel vetëm tiransëve autoktonë, por edhe të rinjve. Atyre që kanë ardhur në kryeqytet për një jetë më të mirë, më të drejtë, më cilësore. E ndajmë bashkë të gjithë këtë qytet, jemi aksionerë në të dhe jo jabanxhinj në dyert e pesë oligarkëve, dhe po bashkë duhet të ngrihemi kundër rrënimit të tij. Tirana është bërë streha juaj, jo vetëm për privilegjet, por edhe detyrat. Një prej tyre është që fëmijëve t’u lini një qytet i cili t’i ngjajë qytetit të prindërve të tyre. Të gjithë bashkë, para Kryeministrisë, për të ngritur zërin në veshin e qeverisë që ka nëntë vjet që nuk ju dëgjon”, theksoi Këlliçi.

 

Fraksion.com

Social Media Auto Publish Powered By : XYZScripts.com