Zjarri në spitalin e Tetovës, mesazhe ngushëllimi për familjet e viktimave
Krerë të politikës shqiptare kanë shprehur ngushëllime për familjet e viktimave që humbën jetën në spitalin Covid në Tetovë mbrëmjen e djeshme si pasojë e një zjarri.
Presidenti Ilir Meta ka reaguar lidhur me ngjarjen që ndodhi mbrëmjen e sotme në spitalin Covid-19 në Tetovë.
Meta shprehu solidaritetin e plotë me autoritetet shtetërore të Maqedonisë së Veriut, që po bëjnë përpjekje maksimale për të shpëtuar sa më shumë jetë dhe vënë nën kontroll situatën.
“Me shqetësim dhe trishtim të thellë po përcjell tragjedinë e ndodhur në spitalin e Tetovës. Një ngjarje tepër e rëndë dhe tronditëse, veçanërisht për numrin e viktimave të raportuara! Shpreh ngushëllimet më të ndjera për jetët e humbura dhe ndaj dhembjen e madhe me familjarët e tyre. Ju uroj shërimin sa më parë të lënduarve! Shpreh solidaritetin e plotë me autoritetet shtetërore të Maqedonisë së Veriut, që po bëjnë përpjekje maksimale për të shpëtuar sa më shumë jetë dhe vënë nën kontroll situatën. Mendimet dhe lutjet e mia janë me Tetovën!”, u shpreh presidenti Meta.
Kryetari i Kuvendit, Gramoz Ruçi, ka reaguar për humbjet e jetëve nga zjarri në spitalin e Tetovës.
“Është një lajm që na ka dëshpëruar të gjithëve. Ndaj dhimbjen e thellë me familjet e njerëzve që humbën jetën, motrat e vëllezërit tanë tetovarë, me shqiptarët dhe gjithë popullin e Maqedonisë së Veriut”, shprehet kryeparlamentari Ruçi.
Ministrja për Europën dhe Punët e Jashtme, Olta Xhaçka shprehet se “dhimbja juaj është dhimbja jonë, tragjedia juaj është tragjedia jonë”
“Thellësisht të pikëlluar nga tragjedia në spitalin COVID të Tetovës. Ngushëllimet më të ndjera familjarëve e mbarë komunitetit shqiptar. Dhimbja juaj është dhimbja jonë, tragjedia juaj është tragjedia jonë”, shprehet Xhaçka.
Kryetari i Bashkisë së Tiranës Erion Veliaj ka shprehur ngushëllimet për jetët e humbura pas zjarrit që përfshiu një spital të Tetovës.
Veliaj u uron shërim të shpejtë të plagosurve dhe shpreh mbështetjen për ekipet e emergjencave. “Ngushëllimet më të ndjera nga Tirana qytetarëve të Tetovës për jetët e prekura nga shpërthimi i zjarrit në spitalin modular. Shërim të shpejtë të plagosurve, kurajo ekipeve të emergjencave dhe kolegëve tanë Teuta Arifi, Artan Grubi, Ali Ahmeti dhe autoriteteve të Maqedonisë së Veriut”, shprehet Veliaj.
Fraksion.com

