AktualitetPolitikëTë fundit

Basha me të rinjtë në Durrës: Do nxisim kualifikimin për t’iu përshtatur tregut të punës

Kreu i opozitës, Lulzim Basha, në turin e takimeve që ka zhvilluar ditën e sotme në qytetin e Durrësit, ka zhvilluar një bashkëbisedim me të rinjtë e këtij qyteti. Të rinjtë i kanë drejtuar pyetje Bashës për planin e Partisë Demokratike rreth shqetësimeve sa i përket ligjit për arsimit e lartë dhe largimi masiv i rinisë për shkak të papunësisë.

Basha u shpjegoi të rinjve planin e Partisë Demokratike i cili parashikon mbështetje për studentët dhe të rinjtë shqiptarë. Ai përsëriti zotimin se me bashkëpunimin me Aleancën Europiane të Universiteteve, qeveria e ardhshme do t’u sigurojë kualifikime që do të jenë të aksesueshme për studentët shqiptarë dhe për të rinjtë shqiptarë pa pagesë dhe që do u mundësojë punë me paga dinjitoze. Ai gjithashtu tha se angazhim i qeverisë së ardhshme do të jetë edhe ofrimi i 5 gjuhëve të huaja falas online, anulimin e ligjit për arsimin e lartë, mbështetjen e studentëve me bursa dhe rritjen e autonomisë së universiteteve.

“Së pari duke nxitur kualifikimin e rinisë shqiptare për t’iu përshtatur një tregu pune që po ndryshon me shpejtësi dhe pozitivisht. 10 vjet më parë tregu i punës nuk ofronte këto mundësi që ka sot. 10 vjet më parë Europa kishte nevojë për 30, 40, 50 mijë fjala bie programues, sot ka nevojë për 500 mijë dhe e ka shumë më të thjeshtë t’i paguajë këtu në Shqipëri, prapëseprapë me paga më të larta se të deputetit apo të ministrit dhe kjo është arsyeja që Serbia, Kosova, Maqedonia, Bosnja, kanë përfituar duke thithur investime të huaja, duke mundësuar hapjen e mijëra vendeve të punës aty, ku të rinjtë paguhen me këto paga dhe produkti i tyre, qoftë ky një produkt fizik në industrinë e pjesëve të këmbimit të automjeteve apo të semikonduktorëve, apo qoftë programim në fushën e teknologjisë së informacionit duke qenë pranë familjeve të tyre, në komunitetin e tyre, në qytetin e tyre, në vendin e tyre por prapë se prapë kanë të ardhura të mjaftueshme dhe jetojnë një jetë dinjitoze”, u shpreh Basha.

“Po kështu duke filluar nga 1 shtatori përmes një platforme amerikane, qeveria ime do të ofrojë 5 gjuhë të huaja falas online për rininë shqiptare që janë anglishtja, frëngjishtja, italishtja, gjermanishtja dhe spanjishtja. Ndërkohë reforma e arsimit të lartë ka një qëllim, universitetet shqiptare, Universiteti Durrësit e çdo institucion tjetër i arsimit të lartë të kthehen në institucione të cilët përgatisin profesionistë për tregun”, vijoi ai.

“Për 10.000 studentë çdo vit një praktikë 12 mujore e paguar me 300 mijë lekë të vjetra në muaj janë pjesë të programit tonë, të llogaritura, të futura në buxhetin e parë të qeverisë tonë të ardhshme dhe që do të vihen në zbatim prej muajit tonë të parë. Dhe kjo do të mundësojë që studenti shqiptar mos të jetë në një realitet si Liza në botën e çudirave, ku nga njëra anë universiteti është nën presion, pedagogët janë të nënpaguar, janë të nënçmuar, qeveria ka centralizuar gjithçka, mësimi dhe në teknologjinë e informacionit bëhet në dërrasë të zezë me shkumës”, tha Basha.

 

Fraksion.com

Social Media Auto Publish Powered By : XYZScripts.com