Suedezja Anna Bjerde, zv/presidentja e re e BB-së për rajonin e Europës dhe Azisë Qendrore
Anna Bjerde, shtetase suedeze, prej datës 1 maj 2020 është zëvendëspresidente e Bankës Botërore për rajonin e Europës dhe Azisë Qendrore.
Në këtë post, Bjerde do të drejtojë punën strategjike, analitike, operative dhe studiuese të Bankës Botërore në këtë rajon.
Anna Bjerde e merr drejtimin e rajonit të Europës dhe Azisë Qendrore në një kohë tejet të vështirë për vendet kliente të Bankës Botërore.
Pandemia e COVID-19 i ka detyruar shumë vende të luftojnë me pasoja të rënda shëndetësore, shoqërore dhe ekonomike.
Ndërkohë që vijon një situatë e pasigurt, përditësimi më i fundit ekonomik i Bankës Botërore për Europën dhe Azinë Qendrore sugjeron disa skenarë negativë të rritjes ekonomike për këtë rajon, përfshirë edhe një recesion madhor në vitin 2020, ku rritja pritet të tkurret në nivele midis -4.4 dhe -2.8%.
“Si zëvendëspresidente për Europën dhe Azinë Qendrore, do të punoj nga shumë afër me qeveritë e vendeve kliente, për t’i ndihmuar të arrijnë rezultate të fuqishme në zhvillim, por vëmendja tani për tani do të jetë te trajtimi i pasojave shëndetësore dhe ekonomike të pandemisë COVID-19”, thotë Anna Bjerde.
Në periudhën afatshkurtër, vijon zv/presidente e BB për rajonin e Europës dhe Azisë Qendrore, do të japim financime me procedurë të përshpejtuar dhe do të ofrojmë instrumente të politikave në mbrojtje të jetëve dhe mjeteve të jetesës së njerëzve.
“Në periudhën afatmesme, do t’i ndihmojmë vendet të amortizojnë pasojat ekonomike dhe buxhetore të krizës nëpërmjet masave të politikave të duhura dhe instrumenteve të financimit”, shprehet Bjerde.
Bjerde ka qenë në disa poste të larta në Bankën Botërore gjatë karrierës së saj 25 vjeçare. Ajo është një personalitet i njohur në fushën e zhvillimit ekonomik, me fokus te rritja gjithëpërfshirëse dhe zhvillimi i qëndrueshëm.
Bjerde zëvendëson zotin Cyril Muller, i cili ka qenë në postin e zëvendëspresidentit për Europën dhe Azinë Qendrore që nga korrik 2015.
Fraksion.com

