Komisioni për Ekonominë dhe Financat miratoi projektligjin “Për tregjet e kapitalit
Bizneset në Shqipëri por dhe në rajonin perëndimor, vazhdojnë të mbështeten në forma tradicionale të financimit duke aksesuar fonde nëpërmjet sistemit bankar, linjave të kredive dhe huave të tjera financiare. Burimet alternative të kapitalit nuk ekzistojnë dhe tregu privat i kapitalit është në një fazë të hershme zhvillimi jo vetëm në Shqipëri, por edhe në rajon.
Kjo ndodh në një kohë kur 95% e bizneseve në Shqipëri janë sipërmarrje të vogla dhe të mesme dhe shtylla e ekonomisë shqiptare. Ata përfaqësojnë 83% të punësimit, 75% të prodhimit të brendshëm bruto, por përfitojnë vetëm 28% të financimit.
Nëse sipërmarrësit investojnë paratë e tyre në tregun e kapitalit, ata mund të kenë një normë më të lartë fitimi dhe mund të bëhen aksionerë të kompanive të ndryshme.
Ndërkohë Qeveria shqiptare ka hartuar një p/ligji, i cili ka për qëllim krijimin e një kuadri tërësor rregullator e mbikëqyrës të tregjeve të kapitalit.
Komisioni i Ekonomisë dhe Financave pas disa seancave dëgjimore me grupet e interesit e miratoi në tërësi p/ligjin. Përmes tij, synohet të krijohen mundësi financimi, mundësi për emetimin e letrave me vlerë, të bëjë të mundur të kanalizohen kursimet nëpërmjet tregjeve më mirë të rregulluara të investimeve, si edhe të tërhiqen investitorët e huaj.
Në bazë të ligjit të ri që propozohet të zbatohet, tregjet e kapitalit do të mbikëqyren më me efektivitet, do të vendosen standarde të larta integriteti dhe besueshmërie, ashtu si dhe do të vendoset një bazë ligjore në përputhje me praktikën më të mirë ndërkombëtare dhe në përputhje me direktivat e BE-së.
Fraksion.com

