AktualitetPolitikëTë fundit

Palmer; Sot takime të tjera në Tiranë

Zëvendës Ndihmës Sekretari i Shtetit për Evropën Matthew Palmer nisi dje vizitën e tij në Tiranë, me një takim të gjatë me kryeministrin Edi Rama.

Vizita e tij e gjen Shqipërinë në një moment politik të pa precedent, kur opozita është tërhequr nga parlamenti duke djegur në bllok mandatet e deputetëve të saj dhe ka zgjedhur protestat për të kërkuar largimin e kryeministrit Edi Rama dhe krijimin e një qeverie kalimtare që të përgatisë vendin për zgjedhje të parakohëshme.

Eshtë pikërisht kjo arsyeja që vizita e Palmer shihet me një interes të veçantë në Tiranë, ndonëse sipas burimeve diplomatike, bëhet fjalë për një vizitë të programuar më parë dhe pjesë e një turi diplomatik të tij në disa vende të rajonit.

Në muajin shkurt, pas protestës së dhunshme të opozitës para selisë së qeverisë dhe bërjes publike të vendimit për të “djegur mandatet”, zyrtari amerikan pati telefonata me dy drejtuesit kryesorë të opozitës, kryetarin demokrat Lulzim Basha dhe kryetaren e Lëvizjes socialiste për Integrim Monika Kryemadhi.

Një zëdhënës i Departamentit të Shtetit i tha Zërit të Amerikës në atë kohë, se Palmer “i këshilloi” dy kryetarët e partive “kundër dorëheqjeve të koordinuara dhe në masë të deputetëve të opozitës nga parlamenti, pasi kjo do të dëmtonte përpjekjet për reforma dhe do të dëmtonte një institucion të rëndësishëm të demokracisë” si dhe të hedhin poshtë dhe të dënojnë publikisht gjithë dhunën.

Takimi i Palmer me kryeministrin Rama ka zgjatur dje rreth 90 minuta. Ka qenë vetë Rama i cili ka njoftuar shkurtimisht mbi temat e bisedës përmes një postimi në Twitter.

“Marrëdhëniet e shkëlqyera bilaterale, integrimi europian i Shqipërisë, dialogu Kosovë-Serbi dhe situata politike në vend, në një bashkëbisedim të frytshëm që na gjeti në dakordësi të plotë me zv/Ndihmës Sekretarin e Shtetit, Matthew Palmer”, shkroi kryeministri Rama duke e renditur çështjen e zhvillimeve të brendshme politike, në fund të listës së temave të diskutuara më zyrtarin amerikan, duke hedhur poshtë kështu zërat se synimi i vizitës ishte një përpjekje për zgjidhjen e krizës politike.

Të martën, Palmer do të takohet rreth orës 17:30 me presidentin Ilir Meta. Po këtë ditë zyrtari amerikan ka rezervuar takime me kreun e PD-së, Lulzim Basha dhe drejtues të tjerë të opozitës.

Zv.ndihmës sekretari amerikan Matthew Palmer, pas takimeve me zyrtarët e lartë pritet të ketë një takim me gazetarë shqiptarë.

 

Fraksion.com